Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, po vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e tretë në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Prishtina, Ayonfe Sunday Akinbule.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Skënder Kapra, Blerim Haxholli dhe Berat Berisha.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e tretë t’i takojë Akinbules, i cili realizoi dy gola dhe asistoi për golin e tretë, duke i siguruar fitoren e parë ekipit të tij në Albi Mall Superligë, FC Prishtina, kundër FC Ferizaj (3:1).
Pasi mori këtë çmim, Sunday u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Së pari, kjo më bën të ndihem shumë i lumtur dhe vërtet jam i gëzuar që jam shpallur lojtari më i mirë i javës. Pra, për mua, është një gjë shumë e mirë dhe një fillim shumë i mirë në këtë moment. Po e shijoj Kosovën dhe gjithashtu po e shijoj ligën. Liga ka vitalitet dhe gjithçka këtu është shumë mirë. Po ashtu, ekipi i Prishtinës është shumë i mirë dhe po bëjmë një punë të shkëlqyer me trajnerin, me bordin dhe gjithashtu me mbështetje nga federata.
Momentalisht, gjithçka po shkon mirë për mua. Me cilësinë e trajnerit dhe cilësinë e lojtarëve që kemi në ekip, e shoh Prishtinën si një ekip që do të dalë i pari, kampion i ligës.
Unë besoj në ekipin tim. Besoj në punën e trajnerit dhe gjithashtu e di se do të jetë një sfidë e madhe për ne që të jemi në krye të tabelës. Por ne jemi këtu për t’u përballur me sfidat dhe do ta bëjmë këtë me punë të palodhur. Sigurisht, asgjë nuk është e pamundur. Çdo gjë është e mundur. Ne mund ta bëjmë këtë.
Dua të falënderoj trajnerin dhe bordin për punën e palodhur që kanë bërë për ekipin. Ata na ndihmojnë të tregojmë talentin tonë dhe të bëhemi lojtarë të shkëlqyer. Falënderoj gjithashtu Federatën që po bën të mundur që gjithçka të shkojë mirë në ligë. Shpresojmë që të bëhemi kampionë dhe të festojmë,” tha Akinbule për faqen zyrtare të FFK-së. /Ballkani.info