Vetëm pak orë më parë, Zdravko Kuzmanovic ka dhënë një deklaratë për mediat në Zvicër duke u shprehur se do ta rrëzonte në tokë me “knock-out” Xhakën ose Shaqirin, nëse do të ishte ende pjesë e Serbisë. Kjo i referohej ndërhyrjeve të ashpra ku dëshira për të kapur topin është e fundit.
Megjithatë Kuzmanovic është tërhequr nga fjalët e thëna dhe “ka kërkuar falje”. “Nuk thashë atë se do të lëndoja me dashje Xhakën apo Shaqirin. Unë thjesht thashë se do të hyja në mënyrë agresive dhe do jepja gjithçka për të fituar. Ju më njihni si lojtar, nuk frenohesha. Kam qenë emocional dhe jam akoma.
E njoh mirë Shaqirin, kam luajtur me të. Shihemi herë pas here dhe bisedojmë me njëri-tjetrin, nuk kemi asnjë problem. Futbolli dhe politika duhet të ndahen. Të dyja palët kishin fajet e tyre, edhe nga ana e serbëve. Por si lojtar duhet të mbash provokimet. Megjithatë djemtë kanë mësuar nga gabimet dhe uroj të mos përsëriten skena të njëjta.
Sigurisht që tensioni është i madh, të gjithë serbët janë të nxehtë, Xhaka dhe Shaqiri gjithashtu. Nuk e di nëse emocionet do të vlojnë prapë, nëse do të isha në fushë, nuk e garantoja dot qetësinë. Asnjë lojtar nuk ta jep dot këtë garanci edhe nëse është diskutuar një mijë herë më parë”, tha Kuzmanovic.
I pyetur sa i përket skandalit me vendosjen e flamurit të Serbisë në dhomat e zhveshjes, atje ku përfshihej edhe Kosova, Kuzmanovic “fshihet”: “Atje ishte bosh ambienti, nuk e dini se kush e bëri foton. Asnjë lojtar nuk e postoi atë foto. Sigurisht që nuk është veprim i mirë. Por le të flasim për ndeshjen, njëri ikën në shtëpi, tjetri qëndron”, tha Kuzmanovic.