Bota e futbollit është mbuluar me lajme rreth Cristiano Ronaldos pas transferimit sensacional prej rreth 200 milionë eurosh në vit te skuadra e Arabisë Saudite, Al-Nassr.
Ronaldo u largua nga Manchester Unitedi, duke dhënë kritika të shumta për klubin.
Pavarësisht se mori pritjen më të ngrohtë në Arabinë Saudite, Ronaldo tha se është i lumtur që është transferuar në Afrikën e Jugut, në prezantimin e tij zyrtar në Lindjen e Mesme.
“Futbolli është ndryshe, kështu që për mua nuk është fundi i karrierës që erdha në Afrikën e Jugut. Kjo është pse unë doja ndryshim, dhe të jem i sinqertë, nuk mërzitem se çfarë thonë njerëzit”, kishte thënë Ronaldo para mediave kur u prezantua.
Robinho mendoi se u transferua te Chelsea
Prapa në vitin 2008, ylli brazilian, Robinho, donte që të largohej nga Real Madridi për t’iu bashkuar Chelseat.
Megjithatë, 24-vjeçari theu rekordin e transferimit kur lëvizi për 32.5 milionë funte, në drejtim të Manchester Cityt.
Për fat të keq të Robinhos, ai bëri gabim të rëndë kur u pyet nga gazetarët për klubin e ri.
“Në ditën e fundit të transferimeve, Chelsea bëri ofertë të mirë për mua personalisht dhe për Real Madridin, dhe ishte e pranueshme”, tha ai, para se të përmirësohej për gabimin e bërë.
“Chelsea? Jo, Manchester. Më falni”, shtoi ai.
Braithwaite dhe Hernandez nuk shfaqën talentin në prezantim
Në vitin 2020, Martin Braithwaite kompletoi një transferim emergjent në momentin e fundit nga Leganesi, pasi Barcelona pagoi 16 milionë funte klauzolën e tij.
Braithwaite u prezantua në “Camp Nou”, por në rrethana të çuditshme. Për shkak të pandemisë, sulmuesi u desh të performonte në stadiumin ikonë, pa praninë e tifozëve.
Transferimi i ri dështoi të impresiononte duke mos shfaqur aftësitë e tij për asnjë moment.
Njësoj kishte ndodhur edhe me Theo Hernandezin në vitin 2017 kur u prezantua me fanellën e Real Madridit, para tifozëve. Ai filloi ta mbante topin në ajër, por pa kontrollën e duhur.
Duhet përmendur se ka kaluar kohë prej atëherë. Hernandezi fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 2018.
Gabimet e tjera
Kieran Trippier dhe Maxwell Cornet dështuan që ta preknin logon e skuadrës në fotografitë zyrtare me klubin. Këto bëhen zakonisht për të treguar respekt për klubin, por edhe për tifozët.
Trippieri ishte transferuar te Newcastle, ndërsa Corneti te Burnley.
Evertoni ndërkohë ia kishte shkruar gabimisht emrin Gerard Deulofeut.
Ai u huazua në vitin 2013 nga Barcelona, por në fanellat që kishin dalë për shitje, shkruhej Deufoleu.
Në faqen e Christian Bentekes ishte shkruar në Twitter se është lojtar i Burnleyt, ndërsa ai ishte transferuar te Crystal Palace për shumën rekorde të klubit për 32 milionë funte në vitin 2016, nga Liverpooli. Ai kishte kërkuar falje më pas duke thënë se ka gabuar personi që ia menaxhon llogarinë.
Roberto Soldado kishte dështuar sa ishte pjesë e Tottenhamit. Dështim dy herë pati edhe në prezantimin e tij te skuadra e re, Villarreali.
Ai në vitin 2015, kishte dështuar dy herë që ta dërgonte topin te pjesa ku ishin të vendosur tifozët, që kishin ardhur ta shihnin nga afër në prezantim.