Trajneri i Paris Saint-Germainit, Christophe Galtier, ka përgënjeshtruar raportimet e mediave se Lionel Messi dhe Kylian Mbappe kanë pasur një fjalosje dhe nuk kanë raporte të mira. Galtier ka thënë se nuk ka asnjë çështje ndërmjet yjeve, të cilët, sipas tij, kalojnë shumë mirë mes vete. Messi vitin e shkuar iu bashkua Parisit dhe është bashkëlojtar me Mbappen, të cilin e mposhti në finalen e kupës së botës “Katari 2022”.
Në finalen e luajtur në stadiumin “Lusail” më 18 dhjetor, Argjentina triumfoi ndaj Francës me penallti. Për Argjentinën ishte titulli i tretë në histori dhe i pari prej vitit 1986, ndërsa Franca dështoi ta mbrojë trofeun e fituar para katër vjetësh në Rusi.
“Do të fokusohesha te marrëdhënia e mirë që e kanë Mbappe dhe Messi. Ata nuk kanë probleme dhe kalojnë shumë mirë. Mbappe ka një qëndrim shumë pozitiv dhe nuk është i inatosur në Messin, i cili e mposhti në finalen e Botërorit. Madje ai e ka përgëzuar Messin për këtë sukses dhe raporti i tyre i shëndoshë është një gjë shumë e mirë për klubin tonë”, është shprehur Galtier.
Tekniku francez nuk është duruar pa e kritikuar portierin e Argjentinës, Emiliano Martinez, i cili ka bërë shaka në llogari të Mbappes. Portieri argjentinas pas ndeshjes finale kishte bërë shaka me Mbappen, ndërsa dy ditë më vonë, gjatë festës në Buenos Aires, kishte tejkaluar çdo kufi sportiv. Ai derisa festonte përkrah Messit në autobusin e hapur, e mbante një kukull me fytyrën e Mbappes.
“Leo nuk ka faj aty, pasi ai po qëndronte dhe po festonte. Megjithatë, veprimi i Martinezit ishte tejet i pahijshëm. Mbappe, sigurisht që ka mbetur i zhgënjyer që nuk e fitoi titullin e botës dhe Martinez nuk është dashur të veprojë në atë mënyrë. Për atë që e kam parë pas finales, nuk kam dëshirë ta flas. Por kjo ishte një sjellje e pahijshme e portierit”, ka shtuar Galtier.
Pos me paraqitje në Botëror, Mbappe ka pushtuar ballinat në Francë pas pretendimeve se i ka vënë kushte të reja Parisit për të mbetur në klub edhe pas përfundimit të edicionit aktual. Mirëpo edhe këto raportime i ka mohuar kategorikisht trajneri i PSG-së, Galtier.
“Nuk ka asgjë të vërtetë. Mbappe po stërvitet sikurse pjesa tjetër e lojtarëve dhe është i fokusuar në rifillimin e sezonit”, është shprehur ai.
PSG-ja, që nuk di për humbje këtë edicion në kampionat, u kthehet garave të mërkurën. Prej orës 21:00 e pret skuadrën e Strasbourgut, në kuadër të xhiros së 16 të Ligue 1.
Mbappe pritet të jetë titullar në këtë ndeshje. Ai javën e shkuar i është bashkuar Parisit në stërvitje. Sulmuesi nuk pushtoi fare pas Botërorit, në të cilin e fitoi “Këpucën e Artë” me tetë gola të shënuar në shtatë ndeshje të luajtura. Së bashku me Mbappen u kthye edhe Achraf Hakimi, i cili zuri vendin e katërt me Marokun.
“Si Mbappe ashtu edhe Hakimi u kthyen më herët, për të qenë të gatshëm për lojë. Ata janë mirë fizikisht dhe mentalisht. Kështu që nuk po shoh arsye që mos t’i inkuadroj”, shtoi trajneri i PSG-së. “Kyliani pati një Botëror shumë të mirë dhe shpresoj që me këtë formë të vazhdojë deri në fund të sezonit. Edhe Hakimi ishte lider i Marokut”.
Gjasat janë të mëdha që në sulm përkrah Mbappes të luajë ylli i Brazilit, Neymar, ekipi i të cilit u eliminua në çerekfinale të Botërorit.
“Prej anës psikologjike, Neymari është gati dhe dëshiron të luajë në këtë ndeshje. Kjo është një shenjë e mirë. Mendoj se Neymar tashmë e ka marrë veten pas zhgënjimit të madh që e përjetoi në Kupën e Botës”, është shprehur Galtier.
Ndërkohë, Messi ende nuk i është bashkuar skuadrës franceze në stërvitje pasi po e shijon pushimin pas suksesit të madh që e arriti me Argjentinën. Messi u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut në Katar.