Arsenali dhe Manchester City janë në një betejë të ngushtë për titullin e kampionit në Premier League këtë sezon, por trajneri i klubit të Londrës veriore, Mikel Arteta, insiston se kjo aspak nuk do të ndikojë në miqësinë me homologun e tij Pep Guardiola.
Ish-mesfushori Arteta shërbeu si asistent i Guardiolës te skuadra e Cityt nga viti 2016 deri në vitin 2019 përpara se Arsenali ta emëronte atë si trajner pas largimit të spanjollit Unai Emery. Skuadra e Artetas është në krye të tabelës në Premier League me 50 pikë të tubuara pas 19 ndeshjesh, pesë pikë më shumë se City i vendit të dytë që ka luajtur edhe një ndeshje më shumë. E këto skuadra do të përballen me njëra- tjetrën në “Etihad Stadium” në ndeshjen e së premtes mbrëma në kuadër të raundit të katërt të Kupës FA. I pyetur se si ndihet për garën e fortë “kokë më kokë” me Guardiolan në kampionat dhe Kupën FA, Arteta insistoi se prejse është në krye të Arsenalit ka shpresuar për një rivalitet të tillë me mikun e tij të mirë. Përkundër rivalitetit, Arteta insistoi se ata sërish mbeten miq të mirë, pasi shtoi se Guardiola është shumë person i rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij.
“Unë gjithmonë kam shpresuar që një ditë të kishim një rivalitet të tillë dhe tani kjo po ndodh këtë sezon. Natyrisht që kjo nuk do të ndryshojë asgjë në miqësinë tonë. Guardiola sa është i rëndësishëm në jetën time, aq është i rëndësishëm edhe për profesionin tim. Pra, na mbesim miq pavarësisht rivalitetit me klubet”, insistoi Arteta. “Ne të dy duam të fitojmë dhe të mbrojmë klubet tona në mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu ka qenë gjithmonë që nga dita e parë”.
Arteta, i cili udhëhoqi Arsenalin drejt triumfit në Kupën FA në sezonin 2019/20, tha se një fitore të premten ndaj Cityt do t’i jepte skuadrës së tij vrull dhe do të rriste besimin e lojtarëve për ta synuar edhe titullin e kampionit.
“Në disa mënyra do të përcaktojë sezonin tonë, sepse nëse jemi në gjendje të fitojmë të premten, ne do të shkojmë në raundin tjetër dhe ata nuk do ta bëjnë”, shtoi Arteta. “Është një garë shumë e rëndësishme për ne dhe fitorja do ta përcaktojë këtë moment, pasi do të na japë një shans të përpiqemi të vazhdojmë dhe të fitojmë këtë trofe”.
Sipas tij, përballja me Cityn do të jetë një test i mirë për Arsenalin, i cili edhe këtë vit ka vazhduar me formën e mirë në Premier League. Deri më tani Arsenali ka vetëm një humbje në kampionat, ndërsa City ka regjistruar tri humbje në 20 ndeshje të luajtura. Ai insiston se City është ekipi më i mirë në botë dhe për këtë arsye Arsenali duhet ta dëshmoj veten ndaj më të mirit.
“Ky është një test i madh për ne kundër, për mendimin tim, ekipit më të mirë të futbollit në botë. Mezi po e pres këtë përballje. Do të na tregojë shumë se ku jemi”, ka shtuar Arteta.
Në fakt, ndeshja e së premtes do të jetë përballja e parë e Arsenalit me Manchester Cityn këtë sezon. Dy ekipet ende nuk kanë luajtur kundër njëra-tjetrës në kampionat, me ndeshjen e parë që do ta luajnë në Londër më 15 shkurt dhe të dytën në Manchester në fund të muajit prill.