Futboll ndërkombëtar

Giroud dhe trajneri i Marokut ishin bashkëlojtarë që arritën te suksesi në “rrugën” e vështirë

Giroud dhe trajneri i Marokut ishin bashkëlojtarë që arritën te suksesi në “rrugën” e vështirë

Gjysmëfinalja e kupës së botës “Katari 2022”, që zhvillohet të mërkurën midis Francës dhe Marokut, do të bëjë që disa fytyra të njohura të bashkohen për rivalitet në fushë, me shokët e skuadrës së Paris Saint Germainit, Kylian Mbappe dhe Achraf Hakimi që janë ballë për ballë. Youssef En-Neysri dhe portieri Yassine Bounou përballen rregullisht

Besnik Batusha

Gjysmëfinalja e kupës së botës “Katari 2022”, që zhvillohet të mërkurën midis Francës dhe Marokut, do të bëjë që disa fytyra të njohura të bashkohen për rivalitet në fushë, me shokët e skuadrës së Paris Saint Germainit, Kylian Mbappe dhe Achraf Hakimi që janë ballë për ballë. Youssef En-Neysri dhe portieri Yassine Bounou përballen rregullisht me Antoine Griezmannin të Atletico Madridit, ndërsa Ousmane Dembele dhe Abde Ezzalzouli ndanë dhomën e zhveshjes për një kohë te Barcelona, sezonin e kaluar, përpara se Abde të huazohej te Osasuna këtë edicion.

Megjithatë, janë thuajse dy persona kyç që do të përfshihen në ndeshjen e së mërkurës, të cilët njihen prej 15 vjetësh. Është sulmuesi i Francës, Olivier Giroud, dhe trajneri i Marokut, Walid Regragui. Në vitin 2007, Giroud ishte një 21-vjeçar që përpiqej të depërtonte në skuadrën franceze të kategorisë së dytë Grenoble, ku një nga shokët e tij në dhomën e zhveshjes ishte 32-vjeçari Regragui. Në atë kohë trajneri aktual maroken ishte mbrojtës i djathtë veteran, që i afrohej fundit të një karriere që e pa të luante për skuadra si Toulouse, Dijon dhe Racing Santander.

“Ato janë kujtime shumë të mira”, thotë Nassim Akrour, i cili ishte pjesë e Grenoblet në atë kohë. “Kishim një grup shumë të mirë lojtarësh, ku Regragui ishte lider, kurse Giroudi njëri prej lojtarëve më të mirë që sapo ishte bashkuar me ekipin e parë”.

Nuk ishte një sezon i lehtë për Giroudin e ri. Pakkush që ndoqi 23 paraqitjet e tij në ekipin e parë të Grenoblet, në të cilat ai shënoi vetëm dy gola, do të kishte menduar se shtatlarti do të përparonte për t’u bërë lojtar i rëndësishëm tek Arsenali, Chelsea e Milani, si dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Francën. Giroud u desh të largohej nga Grenoble për të luajtur për Istresin e nivelit të tretë, për të filluar me të vërtetë rrugën e tij në botën e futbollit. Ai shënoi 14 gola në 33 ndeshje dhe kjo ishte e mjaftueshme për t’u rikthyer në nivelin e dytë me Toursin. 21 gola në sezonin e dytë atje i mundësuan një transferim te Montpellier dhe 39 gola në dy sezone e panë Giroudin të bashkohej me Arsenalin kur ishte gati 26 vjeç.

“Olivieri bëri mirë që u largua pasi ndoshta nuk do ta kishte bërë këtë karrierë nëse do të qëndronte te Grenoble. E mbaj në mend shumë mirë. Ka qenë lojtar premtues, por klubi kishte nevojë për lojtarë më me përvojë”, shprehet Akrour.

Sa për Regraguin, ai pas dy vjetëve në Grenoble u kthye në Marok për t’i dhënë fund karrierës si lojtar me ekipin Moghreb Tetouan, përpara se të fillonte zejen e trajnerit. Regragui fillimisht nisi si asistent te Maroku, më pas u angazhua në disa klube të mëdha, përpara se të merrte në dorë Përfaqësuesen marokene vetëm katër muaj më parë. Në këtë post ai e zëvendësoi Vahid Halilhoxhiqin, i cili u shkarkua pasi ia siguroi Marokut paraqitjen në kupën e botës “Katari 2022”.

Maroku nuk ka zhgënjyer nën drejtimin e Regraguit, pasi ka arritur të futet në mesin e katër ekipeve më të mira të Botërorit, ndërsa ka mposhtur kundërshtare si Belgjika, Spanja e Portugalia.

Tani pas 15 vjetëve të gjata, Regragui dhe Giroud do të jenë sërish pranë njëri-tjetrit, por këtë herë në skenën më të madhe të futbollit.

“Unë do të bëj tifo për Walidin dhe Olivierin, pasi të dy i kam pasur bashkëlojtarë te Grenoble. Për Walidin jam shumë krenar, pasi e kam edhe mik shumë të mirë. Megjithatë, nëse kalon Franca unë do të gëzohem më shumë sepse jam francez. Do të jetë një përballje interesante pasi mbrojtja më e mirë e Botërorit do të testohet nga sulmi më i mirë”, shtoi Akrour.

FrancaGiroudMarokuWalid Regragui

Mëshumë nga Futboll ndërkombëtar

Të gjitha →
Futboll ndërkombëtar

Kampioni fiton me gol të kapitenit Odegaard

Futboll ndërkombëtar

Gruda i bashkohet Gjermanisë me formë të lartë

Futboll ndërkombëtar

Fitore për Cityn e Arsenalin, Napoli mposhtet thellë

Futboll ndërkombëtar

Fitore e pabesueshme prej 9:1 e Comos në Champions