Mbrojtësi kosovar, Lirim Kastrati, ka pasur një moment shumë të vështirë të dielën. Në ndeshjen e kampionatit hungarez mes Ujpestit dhe Kecskemetit, 24-vjeçari u zëvendësua në minutën e 32-të.
Mbrojtësi i djathtë ka mbetur i shtrirë në fushë pa ndjenja, pas një dueli me një lojtar kundërshtar. Pas një krosimi nga krahu, Kastrati ka lëvizur prapa në tentim për ta larguar topin me kokë. Ndërkohë lojtari kundërshtar ka lëvizur para dhe dy futbollistët kishin një përplasje të rrezikshme në ajër. Duket që Kastrati është goditur në kokë gjatë duelit dhe po ashtu kishte rënie të rëndë në tokë.
Ai mbeti pa ndjenja në fushë, ndërsa bashkëlojtarët thirrën shpejt ekipin mjekësor. Skena ishte e frikshme, ndërsa mbrojtësi kosovar për disa sekonda ishte pa ndjenja. Intervenimi mjekësor zgjati disa minuta, kurse Kastrati u largua në këmbë nga fusha. Ka nisur edhe të vrapojë gjatë largimit nga fusha dhe madje ka insistuar që të kthehet në lojë. Por mjekët nuk e kanë lejuar këtë, duke urdhëruar zëvendësimin e kosovarit.
Vlerësimi i mjekëve doli të jetë i duhuri. Kastrati në afërsi të bankinës humbi sërish ndjenjat ndërkohë dhe më pas u dërgua në spital me autoambulancë.
“Jam në spital duke i bërë të gjitha kontrollimet e nevojshme me stafin mjekësor. Po ndihem më mirë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet! Shihemi së shpejti”, ka shkruar Kastrati në një postim.
Sipas mediave hungareze, mjekët kanë thënë se nuk ka ndonjë problem serioz me Kastratin, porse ai është dërguar në spital me dyshimin për një tronditje të mundshme.
Nga Ujpesti kanë thënë se Kastrati nuk ka ndonjë lëndim serioz, porse u mbajt në spital gjatë natës për të kontrolluar gjendjen e tij.
Ujpesti fitoi 3:0, kurse pas ndeshjes lojtarët e kësaj skuadre u fotografuan duke prezantuar fanellën e Kastratit, në përkrahje të mbrojtësit të Kosovës.
Kastrati është nga Malisheva, ndërsa është rritur në Itali. Tek Ujpesti hungarez është prej vitit 2020. Ai ka luajtur për U17 të Shqipërisë e më pas për U19 e U21 të Kosovës. Ftohet shpesh në përfaqësuesen A të Kosovës dhe deri më tani i ka 12 ndeshje.
Këtë edicion ka shfaqur formë të mirë. Në 18 ndeshje ka realizuar një gol, por është shquar me punën që ka kryer në repartin defanziv.
Ujpesti është në vendin e shtatë të kampionatit rumun. E ka vetëm edhe një ndeshje në këtë kampionat.
Në Hungari luan edhe sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati. Ai është pjesë e skuadrës MOL Fehervar.