Zakonisht kur vjen Kupa e Botës, gjermanët me krenari mbajnë flamurin e vendit të tyre dhe e mbështesin me entuziazëm ekipin e tyre. Mirëpo jo këtë herë. Kushdo që ecën nëpër Berlin këtë javë do të ketë vështirësi të vërejë ndonjë shenjë të zjarrtë të Kupës së Botës. Nuk ka flamuj, nuk ka shenja, nuk ka ngjarje të shikimit publik. Pra asnjë tregues se rruga e vendit të çmendur për futbollin dhe për titullin e pestë të botës do të fillojë me një ndeshje kundër Japonisë të martën. Qëndrimi i Katarit për të drejtat e njeriut dhe trajtimi i punëtorëve emigrantë kanë prishur festën për shumë njerëz.
“Ne nuk duam të shijojmë një Kupë Bote si kjo”, tha Bernd Beyer nga nisma “Boycott Katar 2022”. “Tifozët nuk identifikohen me të dhe thonë se nuk duan të kenë asnjë lidhje me të”.
Pati protesta të shumta kundër turneut gjatë ndeshjeve të Bundesligës dhe të kategorisë së dytë, gjatë fundjavave të fundit, me tifozët që mbanin pankarta për situatën e të drejtave të njeriut në Katar.
Mungesa e entuziazmit ka pasur gjithashtu një ndikim komercial. Shitësit me pakicë kanë përfituar më parë nga zhurma rreth turneve të mëdha me ofertat e lidhura me ekipin gjerman. Ish-trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew dhe lojtarët e tij mund të shiheshin kudo duke promovuar mallra dhe shërbime të ndryshme. Këtë herë, Shoqata e Shitësve të Sporteve Gjermane, thotë se shitjet e artikujve të tifozëve janë shumë më pak në krahasim me vitet e mëparshme të Kupës së Botës.
“Deri më tani nuk është as gjysma e asaj që zakonisht shitet në dyqane në ngjarje të mëdha të këtij lloji”, tha presidenti i shoqatës, Stefan Herzog.
Kompania e veshmbathjeve sportive “Adidas”, tha se kërkesa për fanellat e Gjermanisë ishte e ulët dhe se fanella më e kërkuar deri tani ishte ajo e Meksikës, e konsideruar nga disa si ndër fanellat më elegante të veshura nga 32 ekipet e Kupës së Botës. Shitjet e televizorëve, që përgjithësisht rriten për ngjarjet kryesore sportive, janë gjithashtu në rënie, raportoi RND.