Raundi i dytë i kualifikimeve është planifikuar të zhvillohet në mars 2026.
Procesi i kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 po i afrohet fundit, megjithëse ende ka disa vende të lira.
Deri tani, 32 kombëtare e kanë siguruar pjesëmarrjen në turneun e verës së ardhshme, i cili do të mbahet në tri vende: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Në vitet e kaluara, lista e plotë e pjesëmarrësve do të ishte e kompletuar. Mirëpo, kjo Kupë e Botës do të jetë e para me 48 ekipe, që do të thotë se 16 skuadra të tjera do të kualifikohen.
Përveç tre vendeve pritëse dhe kampionit aktual Argjentinës, automatikisht janë kualifikuar edhe Anglia, Brazili, Portugalia, Norvegjia, Franca dhe Senegali.
Ndërkohë, Kepi i Gjelbër, Jordania dhe Uzbekistani do të debutojnë për herë të parë në Kupën e Botës.
Për ekipet që nuk e fituan grupin e tyre – apo edhe disa që nuk arritën vendin e dytë – play-off-et ofrojnë një mundësi të fundit për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit.
Shorti i play-off-eve për Kupën e Botës 2026 do të hidhet të enjten, më 20 nëntor 2025.
Ceremonia do të mbahet në selinë e FIFA-s në Cyrih, Zvicër.
Ka dy lloje play-off-esh: play-off-et e UEFA-s dhe ato ndër-konfederative të FIFA-s.
Të dyja do të zhvillohen në mars 2026. Ndërsa datat e sakta të play-off-eve ndër-konfederative nuk janë konfirmuar ende, play-off-et e UEFA-s nisin me gjysmëfinalet më 26 mars dhe përfundojnë me finalet më 31 mars.
Play-off-et e UEFA-s do të luhen me ndeshje teke eliminimi, dhe shorti do të përcaktojë rrugët e ekipeve.
16 ekipet do të ndahen në katër grupe me nga katër, duke i lënë kombëtaret dy fitore larg kualifikimit (gjysmëfinale + finale).
Vazot nga A në C do të përcaktohen sipas renditjes së FIFA-s. Vazoja D do të përmbajë katër ekipet e kualifikuara përmes Nations League.
Play-off-et ndër-konfederative do të fillojnë me katër ekipet me renditjen më të ulët në FIFA, të cilat do të luajnë dy ndeshje teke eliminimi. Fituesit do të përballen me dy ekipet e renditura më lart, sërish në ndeshje teke, dhe fituesit do të kualifikohen për Kupën e Botës.
Deri tani, Italia, Ukraina, Republika e Irlandës, Shqipëria dhe Republika Çeke janë nënkampionët e konfirmuar të grupeve kualifikuese të UEFA-s. Atyre u bashkohen Rumania, Suedia dhe Irlanda e Veriut, si tre nga ekipet më të mira të Nations League që nuk përfunduan në top-2.
Bolivia, Kaledonia e Re dhe Republika Demokratike e Kongos – që mposhti Nigerinë në finalen e play-off-it afrikan – janë kualifikuar për play-off-et ndër-konfederative, me tre ekipe të tjera që pritet të konfirmohen.
Shorti i Kupës së Botës 2026 do të mbahet në Washington, D.C., SHBA, të premten më 5 dhjetor 2025.
