Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka mbajtur një fjalim emocional për vuajtjet në Gazë, pasi mori diplomë nderi nga Universiteti i Manchesterit, të hënën.
Spanjolli është nderuar për kontributin e tij nëntëvjeçar për qytetin dhe zgjodhi të përdorte platformën e tij për të nxjerrë në pah bombardimet e vazhdueshme të rajonit nga Izraeli.
Gaza ka qenë nën një bllokadë prej gati dy dekadash, por Izraeli i shpalli luftë Hamasit pas sulmit të grupit më 7 tetor 2023. Më shumë se 56 mijë persona kanë vdekur në Gazë që nga tetori 2023.
Pas marrëveshjes për armëpushim të përkohshëm në janar, i cili hapi rrugë të mundshme për fund të përhershëm të luftimeve, Izraeli e theu marrëveshjen në mars, pas konsultimeve me administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shkruan NYT.
Para luftës, Gaza ishte shtëpi e 2,2 milionë palestinezëve. Më shumë se 4000 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga prishja e armëpushimit.
“Është shumë e dhimbshme ajo që shohim në Gaza. E ndiej dhembjen me gjithë trupin”, ka thënë Guardiola.
“Le të jem i qartë – nuk ka të bëjë me ideologjinë. Nuk ka të bëjë me faktin nëse unë kam të drejtë dhe ti je gabim. Ka të bëjë vetëm me dashurinë për jetën. Për kujdesin ndaj fqinjit tënd. Ndoshta mendojmë se mund t’i shohim djemtë dhe vajzat katërvjeçare që vriten me një bombë apo që vriten në spital, i cili nuk është spital më, dhe të mendojmë se nuk është punë e jona”, ka nisur Guardiola pjesën emocionale të fjalimit.
“Në rregull. Mund të mendojmë për këtë. Nuk është punë e jona, por të keni kujdes! Tjetra do të jetë e jona. Fëmijët tjerë katërvjeçarë, pesëvjeçarë, do të jenë tanët. Më vjen keq që i shoh fëmijët e mi, Marian, Mariusin dhe Valentinan çdo mëngjes që kur filloi makthi në Gaza. Dhe jam shumë i frikësuar”, ka vazhduar njëri prej trajnerëve më të vlerësuar në sportin botëror.
Guardiola ka kërkuar që më shumë njerëz të flasin hapur për vuajtjet.
“Ndoshta ky imazh duket shumë larg vendit ku po jetojmë tani dhe mund të pyesni se çfarë mund të bëjmë. Më kujtohet një histori. Një pyll është në flakë. Të gjitha kafshët jetojnë të tmerruara, të pafuqishme. Por një zog i vogël fluturon drejt detit dhe kthehet prapa. Shkon para e kthehet prapa duke mbajtur pika uji në sqepin e vogël. Një gjarpër qesh dhe e pyet: ‘pse?’ ‘Nuk do ta shuash kurrë zjarrin’. Zogu i urtë i përgjigjet: ‘Po, e di.’ ‘Atëherë, pse vazhdon ta bësh këtë?’, pyeti gjarpri përsëri. ‘Unë thjesht po bëj pjesën time të punës’, përgjigjet zogu për herë të fundit. Zogu e dinte që nuk do ta ndalë zjarrin, por refuzoi të mos bënte asgjë. Në një botë që shpesh na thotë se jemi shumë të vegjël për të bërë ndryshim, kjo histori më kujton se fuqia e dikujt nuk ka të bëjë me nivelin, por me zgjedhjen. Ka të bëjë me shfaqjen, me refuzimin për të qëndruar i qetë kur është më e rëndësishmja”, ka folur i emocionuar trajneri spanjoll i futbollit.
Guardiola edhe më herët ka folur për çështje globale si racizmi. Në vitin 2017 bëri thirrje që qeveria spanjolle të miratojë një referendum për pavarësinë e Katalonjës. Më vonë ai u dënua nga Federata Angleze e Futbollit për mbajtjen e një fjongoje të verdhë në mbështetje të udhëheqësve të burgosur të lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës.