Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë nesër një ndeshje shumë të rëndësishme përballë Izraelit, ani pse pesha e pikëve për dardanët nuk është aq e madhe pasi dihet se tashmë e ka humbur hapin në luftë për kualifikim.
Përballja me Izraelin zhvillohet në një orar të pazakontë për faktin se ajo është dashur të luhet në tetor por pas luftës Izrael – Palestinë ajo u shty dhe luhet nesër, shkruan Ballkani.info
Në këtë kohë ftesa për lojtarët ka qenë e vështirë pasi disa klube kanë hezituar t’i lëshojnë lojtarët, por kur dihet se FIFA i ka lejuar asnjë klub nuk ka mundur t’i ndal, përveç ata lojtarë që me vendim personal kanë vendosur të jenë afër ekipit dhe mos t’i bashkohen skuadrës.
Sot në konferencën për shtyp trajneri i Kosovës, Primozh Gliha tha se ka disa mungesa dhe kanë qenë disa vendime individuale që kanë vendosur të mos bashkohen. Në anën tjetër Vedat Muriqi bëri të ditur se i ka thënë Mallorcas se ai e ka për detyrë të luajë për Kosovën dhe ka vendosur t’i bashkohet ekipit kombëtar.
Ndryshe nga Muriqi duket se ka vendosur Amir Rrahmani që nuk iu bashkua ekipit kombëtar për të mbetur te Napoli, madje ai sot edhe ka postuar foto në Instagram me këngëtaren e njohur Era Istrefi.

Prej kohësh flitet për një lidhje dashurie mes Rrahmanit e Istrefit dhe këtë gjë vetëm sa e ka konfirmuar sot Rrahmani.
Të kujtojmë se edhe në tetor Rrahmani mungoi te Kosova për shkak të lëndimit. /Ballkani.info

BONUS VIDEO: Prishtina bllokohet për shkak të stërvitjes së kombëtares izraelite, masa të rrepta policore
