Ashtu si pritej reagimet janë të shumta pas intonimit të himnit të Kosovës në sallën “Serbia” në sheshin “Serbia” në Sarajevën Lindore. Sarajeva Lindore është pjesë e Republika Srpskas të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa intonimin e himnit e mundësuan xhudistet Flaka Loxha e Dëbora Gjakova që të shtunën fituan medalje të arta në Kampionatin Ballkanik për seniorë.
Për herë të parë himni i Kosovës është intonuar në Republika Srpska. Ky entitet, ku ndikimi i Serbisë është shumë i madh, nuk e pranon shtetin e Kosovës dhe nuk lejon që Bosnjë-Hercegovina ta pranojë Kosovën.
VIDEO: https://if-cdn.com/rnBwFyW?card=small&consent=0&theme=light&v=1&app=1
Xhudistët kosovarë për herë të parë kanë garuar në Republika Srpska dhe i fituan pesë medalje në Ballkanikun për të rritur.
Para se të lëshohej himni i Kosovës, shumica e të pranishmëve u larguan nga salla “Serbia”. Disa qëndruan ulur duke mos respektuar himnin e pak prej të pranishmëve u ngritën në këmbë. Himni u ndal në gjysmë, ndërsa medaljet e ndara ishin me motive serbe. Xhudistët kosovarë i kthyen mbrapsht medaljet gjatë fotografimit, ndërsa suksesi i tyre, ndonëse në një ngjarje solide, bëri bujë.
Presioni i serbëve lokalë ndaj drejtuesve të Federatës së Xhudos së Republika Srpskas është shumë i madh. Himni i Kosovës po përdoret edhe për përplasje politike mes serbëve, ndërsa pas presionit të madh ka reaguar edhe Federata e Xhudos e Republika Srpskas.
“Pasi problemi kryesor në Ballkanik është intonimi dhe pjesëmarrja e reprezentacionit të (të ashtuquajturës) Kosovës, e kemi obligim do qartësojmë se (e ashtuquajtura) Kosova është anëtare e përhershme e Federatës Evropianie dhe Botërore të xhudos si dhe e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe si e tillë ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes në të gjitha garat e këtyre organizatave. Organizatori i garave ndërkombëtare është i obliguar që t’iu përmbahet rregullave të Federatës Evropiane dhe Botërore të xhudos. Nëse thyhen rregullat, organizatori dhe federata do të përballen me dënime rigoroze që mund të jetë edhe përjashtimi nga EJU dhe IJF, që do të ishte katastrofale për sportin dhe sportistët në Republika Srpska dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Federata e Xhudos e Republika Srpskas dhe e Bosnjë-Hercegovinës do të njoftojë EJU-në dhe IJF-në dhe do të kërkojë që iniciatorët e gjitha gjërave negative në Ballkanik, për të cilët kemi dëshmi, të sanksionohen pasi i kanë bërë dëm të madh sportit më të suksesshëm në Republika Srpska dhe në Bosnjë-Hercegovinë”, shkruan në reagim.
Të hënën për himnin e shtetit të Kosovës në Sarajevën Lindore, të mundësuar sërish nga xhudistet, kanë shkruar edhe mediat në Serbi.
“Skandal që nuk mbahet mend. Himni i shtetit të rrejshëm ‘Kosova’ në palestrën ‘Serbia’”, është titulli i gazetër “Kurir”.
“Skandal – himni i ‘Kosovës’ në mes të sallës ‘Serbia’”, është titulli i mediumit “Mondo”.
Edhe mediat tjera serbe kanë tituj në këtë frymë.
Xhudistët e Serbisë nuk morën pjesë në Ballkanik për shkak të paraqitjes së Kosovës.
Xhudistët kosovarë janë shumë të suksesshëm. Tashmë i kanë pesë medalje olimpike. Lista e medaljeve botërore e evropiane është shumë e gjatë. Medaljet ballkanike as që llogariten shumë.
Xhudistët kanë mundësuar që himni i Kosovës të intonohet në Rusi dhe që flamuri i Kosovës të shfaqet në këtë vend. Tani kanë bërë bujë duke mundësuar intonimin e himnit të Kosovës në Republika Srpska, ku qëndrimet anti-Kosovë dhe anti-shqiptare janë si në Serbi e në raste edhe më të theksuara.