Cristiano Ronaldo, të enjten mbrëma, regjistroi një tjetër sukses. E shënoi golin e 900-të në karrierën e ndritshme. 39-vjeçari realizoi për Portugalinë në ndeshjen kundër Kroacisë në nisje të Ligës së Kombeve, për t’i dhënë epërsinë 2:0 përfaqësueses së tij. Festa e Ronaldos ishte e veçantë. Ai u ul në gjunjë dhe shpërtheu në lot. Ishte goli i 131-të për përfaqësuesen e shtetit të tij, ndërsa në nivel klubesh ka shënuar për Sportingun e Lisbonës, Manchester Unitedin, Real Madridin, Juventusin dhe klubin aktual, Al-Nassri.
“Ishte emocionuese sepse ishte moment historik”, ka thënë Ronaldo. “Duket sikur golat e tjerë historikë, por vetëm unë dhe njerëzit përreth meje e dinë se sa vështirë është të punosh çdo ditë, të jesh fizikisht dhe mendërisht i gatshëm për të shënuar 900 gola. Është arritje e veçantë në karrierën time”.
Ronaldo vazhdon të shënojë gola për më shumë se dy dekada. Dikush që u lind kur Ronaldo e ka shënuar golin e parë në ndeshje zyrtare, tani është 21-vjeçar.
Ai shënoi për Sportingun dy gola më 7 tetor të vitit 2002, kur i kishte 17 vjet, tetë muaj e tri ditë, në fitoren 3:0 kundër Moreirenses.
Më pas u transferua te Manchester Unitedi duke realizuar 118 gola në 293 ndeshje për “djajtë e kuq”, para se t’i bashkohej Real Madridit në vitin 2009 për shumën rekorde të asaj kohe, 94 milionë euro.
Në nëntë vjet me gjigantin spanjoll, ai realizoi 450 gola në vetëm 438 ndeshje, para se të kalonte në Itali për t’iu bashkuar Juventusit.
Shtoi edhe 101 gola tjerë përgjatë tri vjetëve me klubin italian. Më pas u kthye tek Unitedi. Shënoi 27 gola në 54 ndeshje.
Por kthimi te Manchester Unitedi nuk kishte fund të këndshëm dhe në vitin 2023 ai u transferua në Arabinë Saudite tek Al-Nassr. Tani ka 68 gola dhe vazhdon të shënojë.
E jashtëzakonshme. Thuajse gjysmën e 437 golave, Ronaldo i ka shënuar pasi mbushi 30 vjet, në shkurt të vitit 2015.
Nuk ka ndonjë të dhënë të saktë për ta caktuar se kush është golashënuesi më i mirë në histori të futbollit, por Ronaldo po e udhëheq listën, nëse për bazë merren ndeshjet zyrtare të nivelit të lartë.
Numrin 800 të golave, Ronaldo e kaloi në periudhën e dytë të kaluar tek Unitedi.
Legjendat e Brazilit, Pele dhe Romario, kanë theksuar se kanë shënuar mbi 1000 gola, por nëse hiqen ndeshjet miqësore, ata do të kishin pak më tepër se 700 gola.
Nga statistikat e “Fondacionit të Statistikave të Futbollit” (RSSSF), thuhet se Pele ka 778 gola, ndërsa Romario ka 785.
Lionel Messi, rivali i Ronaldos për kohë të gjatë, ka 867 gola të shënuar në karrierë.
Ronaldo tani është 39-vjeçar. Por veterani është i vendosur që të luajë derisa ta arrijë shifrën e 1000 golave në karrierë.
Në një intervistë dhënë për ish-shokun e tij të skuadrës, Rio Ferdinand, në kanalin e tij në “YouTube”, Ronaldo ka thënë se është i bindur se do ta arrijë këtë shifër të golave brenda pak vitesh.
“Dua t’i arrij 1000 gola”, ka thënë ai. “Nëse nuk kam ndonjë lëndim, që është gjëja kryesore, dua ta arrij këtë. Të gjitha golat që i kam shënuar janë të shfaqur në video”.
Ronaldo mund të luajë edhe pas moshës 40-vjeçare, por nuk dihet nëse do të jetë pjesë e Portugalisë për Botërorin 2026.
Portugezi ka thënë se kjo nuk është prioritet.
“Triumfi në Evropian është ekuivalent me triumfin në Kupën e Botës. Kam fituar dy trofe me Portugalinë, trofe që i kam dashur shumë. Nuk motivohem nga kjo. Motivohem sepse më pëlqen të luaj futboll dhe rekordet vijnë natyrshëm”.
Golat e shënuar nga Ronaldo sipas “Optas”:
– Ronaldo ka shënuar 164 penallti dhe 64 gola të tjerë nga gjuajtjet e lira, nga 900 golat në total
– Ai ka shënuar 768 gola brenda zonës dhe 132 nga jashtë zonës
– Ai i ka 66 “hat-trick”
– 479 gola i ka shënuar në ndeshjet në shtëpi; 361 në ndeshjet si mysafir dhe 60 në terrene neutrale
– Ekipe ndaj të cilave Ronaldo ka shënuar më së shumti në karrierë janë: Sevilla (27); Atletico Madridi (25); Getafe (23); Barcelona (20); Celta Vigo (20)