(E përditësuar 16:20) – Laura Fazliu ka mposhtur bartësen e dytë dhe bartësen e parë për ta fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos. Për Laurën është sukses historik, më i madhi në karrierën e deritashme.
Të martën në Botërorin në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, Laura u rendit e treta në kategorinë deri 63 kilogramë. Për medalje të bronztë e mposhti kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard. Kanadezja ishte bartësja e parë e kategorisë deri 63 kg në Botëror. Ndaj Beuchemin-Pinardit, 23-vjeçarja i kishte një fitore e dy humbje. Tani bilanci me të është 2:2.
Ndaj kanadezes….
Në luftën e parë të repesazhit, Laura Fazliu në mënyrë impresive, me Ippon të bukur, e mposhti australianen Katharina Haecker. Ajo ishte bartësja e dytë, ndërsa Laura e treta.
Për xhudisten kosovare ishte gara e parë pas pauzimit prej disa muajsh për shkak të lëndimit muskulor. Laura ishte lënduar në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë më 22 mars. Prej atëherë nuk ka garuar.
Si bartëse e tretë, Laura Fazliu ishte e lirë në xhiron e parë. Në të dytën e mposhti kroaten Katarina Kristo. Fitoi me hedhje të bukur për uazari. Më pas, Laura fitoi ndaj ruses Dali Luliashvili, që garon si sportiste e pavarur. Ndaj saj realizoi hedhje për uazari me të nisur lufta. E vazhdoi dominimin dhe realizoi tjetër hedhje për Ippon dhe fitore bindëse.
Por në çerekfinale, Laura nuk shfaqi thuajse asgjë. Përballë e kishte sllovenen Andreja Leshki prej të cilës i kishte humbur edhe dy luftërat e kaluara në ngjarje të mëdha. Lufta ishte taktike, por pa shumë veprim nga Laura. Leshki fare në fund realizoi hedhje për uazari. Ajo vazhdoi në gjysmëfinale, ndërsa Laura mbeti në repesazh. Nw fund Laura fitoi medalje e Leshki mbeti pa tw.
Laura Fazliu kishte medalje evropiane, medalje në Masters , garat Grand Slam e ato Grand Prix. Tani ka edhe në Botëror.
Ajo i bashkohet grupit shumë elitar të xhudisteve kosovare me medalje botërore. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Loriana Kuka janë në këtë grup.
Laura ka dhënë shenjat e duhura pas lëndimit. Dhe tani prej saj pritet suksesi kulmor – medalja olimpike.
Ky është synimi i madh i Laurës dhe i trajnerit të saj Driton Kuka.