Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka pranuar forcën e Slavia Pragës para ndeshjes që do të luhet në Prishtinë, por ka kërkuar mbështetjen e madhe të tifozëve. Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, Daja tha se Ballkani ka nevojë për përkrahjen e fuqishme të publikut nga tribuna.
Sipas tij, vetëm me përkrahjen e publikut, Ballkani mund të bëjë një “çmenduri tjetër” në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Dueli mes Ballkanit dhe Slavias, zhvillohet të enjten prej orës 21:00 dhe i takon xhiros së pestë të Grupit G.
Në duelin e parë të luajtur në Çeki, Ballkani pati pësuar humbje me rezultatin 3:2 edhe pse dy herë ishte në epërsi. Daja ka thënë se Slavia është kundërshtari më i fortë i mundshëm i grupit dhe ka thënë se pret që kundërshtari të sulmojë prej fillimit të ndeshjes, sikurse në çdo duel tjetër që e ka bërë këtë edicion. Arsyeja që Daja ka kërkuar përkrahjen e fuqishme të publikut është orari i ngjeshur i ndeshjeve dhe lodhja e skuadrës.
“Unë nuk nisem nga tabela, sepse kam parë të gjitha ndeshjet e Slavias dhe e kemi analizuar së bashku me ekipin. Nisemi nga vet fakti që është hera e parë që luajmë me një intensitet të tillë të ndeshjeve, pasi nuk mbajë në mend që Botërori është zhvilluar dimrit. Nëse i referohemi numrave, të gjithë kolegët e mi në rajon, ankohen për orar të ngjeshur e ndeshjeve këtë edicion. Është java e 13 e Superligës, disa ekipe kanë luajtur 10, disa 11, disa 12 e 13. Ne kemi 12 javë që luajmë paralelisht edhe në Evropë dhe ne kemi 24 ndeshje për katër muaj e gjysmë. Kemi një kontingjent lojtarësh, duke parë edhe mungesat e lojtarëve të rëndësishëm që i kemi pasur dhe i kemi. Ia kemi dalë të përballojmë këtë ngarkesë me një kontingjent 16-17 lojtarë, ndërsa në stërvitje kemi marrë lojtarë prej ekipeve të reja”, ka thënë Daja. “Energjitë tona nuk janë ato që i kemi pasur në Pragë, pasi është ekipi më i fortë që përballemi. Ne nuk e bëjmë për t’u justifikuar, por të tregojmë gjendjen tonë reale. Duhet që publiku të luajë së bashku me neve dhe të bëjmë një çmenduri tjetër të radhës për të bërë një aventurë të paimagjinueshme. Dy ditë kemi pasur kohë të përgatitemi për ndeshjen kundër Slavias dhe për këtë arsye kemi kërkuar mirëkuptim nga ekipet e Superligës për të shtyrë ndeshjes. Përgjatë dy ditëve jemi fokusuar te aspekti taktik për të përgatitur një ndeshje aq të fortë”.
Daja ka thënë se Balllkani do të përpiqet t’i kundërvihet Slavias në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka shtuar se nëse ekipit të tij i bie loja, atëherë publiku duhet ta mbajë në nivel duke e përkrahur.
“Slavia ka dominuar çdo kundërshtar në grup me të cilin ka luajtur. Sigurisht, që mund të jetë po e njëjta gjë edhe ndaj nesh në Prishtinë. Presim që të na sulmojnë pasi kanë shpejtësi. Është e vështirë t’i pengojmë, por ne do të aplikojmë një strategji tonën për t’ia vështirësuar presionin Slavias që e bën ndaj cdo ekipe. Jemi ekipi i vetëm që në Pragë kemi shënuar dy gola në ndeshjet e grupeve. Kërkojë mirëkuptimin dhe mbështetjen e të gjithëve, që në mënyrën që na bie loja, përkrahja të vijë nga tifozët për të motivuar lojtarët, të cilët përfaqësojnë Suharekën dhe futbollin e Kosovës”, u shpreh Daja. “Shpresojmë që të gjithë ta shijojmë ndeshjen, sepse vetëm se bashku mund të bëjmë çmenduria tjera”.
Ai ka folur edhe për shtyrjen e ndeshjes kundër Prishtinës për kohë të pacaktuar, e që ishte paraparë të zhvillohet këtë të diel.
“Nuk e kemi kërkuar shtyrjen e ndeshjes me Prishtinën për shkak të rezultatit, pasi në momentin që Prishtina kërkoi të luante Gashi kundër nesh edhe pse nuk ia lejonte, ne pranuam. Ideja që kemi bërë krenar çdo shqiptar, ndeshja është shtyrë vetëm për një gjë. Që të paktën këta lojtarë që kanë bërë histori deri më sot në futbollin e Kosovës të mos i qojmë drejt dëmtimeve. Kjo ishte arsyeja e vetme që kemi kërkuar të shtyhet ndeshja, sepse rezultatet i marrim në fushë. Ballkani për 24 ditë ka zhvilluar tetë ndeshje dhe kjo ka qenë një arsye edhe më shumë që kemi kërkuar ta shtyjmë ndeshjen”, ka thënë Daja.