Te përfaqësuesja e Izraelit besojnë në fitore ndaj Kosovës, pavarësisht se vlerësojnë “Dardanët”. Edhe Izraeli e ka synim vendin e dytë në grup, sikurse Kosova. Vendi i dytë siguron pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani.
Para se të mendojnë për kualifikimin në Evropian, tek Izraeli janë të fokusuar te përballja me Kosovën. Kjo është ndeshja e parë për të dyja përfaqësueset në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024 dhe i takon Grupit I. Ndeshja Izrael – Kosovë luhet të shtunën prej orës 18:00 në “Bloomfield Stadium” në Tel Aviv. Stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë të Izraelit. Numri i madh i tifozëve, sipas selektorit të Izraelit, Alon Hazan, do ta motivojë maksimalisht ekipin për ta kërkuar fitoren ndaj “Dardanëve”. Hazan ka thënë se kjo ndeshje është e rëndësishme duke pasur parasysh se bëhet fjalë për rivalin direkt të Izraelit.
“Ne i kemi vënë disa synime. Të gjithë duan të kualifikohen, por ne kemi dashur t’i kthejmë tifozët në tribuna dhe ia kemi dalë. Jam shumë i lumtur që lojtarët do ta kenë përkrahjen e madhe, e cila besoj se do t’i motivojë edhe më shumë për ta fituar ndeshjen”, është shprehur Hazan të premten në konferencën për shtyp. “Optimizmi është i madh dhe ekipi ka besim, duke pasur parasysh se stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë. Është me rëndësi të japim më të mirën nga vetja pasi edhe Kosova e Rumania mendojnë sikur ne që vendi i dytë është i tyre dhe kjo është e drejtë. Por, ne duhet ta mposhtim Kosovën dhe të shkojmë hap pas hapi drejt kualifikimit. Ne e kemi parasysh se jemi në gjendje të bëjmë këtë dhe besoj se do ta dëshmojmë prej ndeshjes së parë”.
Trajneri Hazan ka vlerësuar Kosovën dhe ka thënë se “Dardanët” kanë në radhët e veta lojtarë të mirë. Mirëpo, ka insistuar se kjo nuk e shqetëson aspak ekipin e tij i cili është përgatitur për pikët e plota.
“Çka mendon Kosova mua nuk më shqetëson. Te Kosova i kanë synimet e tyre, ndërsa ne jemi të zënë me ambiciet tona. Ka ekip të mirë dhe lojtarë të mirë në radhët e veta. Kosova ka ardhur si ekip dhe mund të përballet me çdo kundërshtar. Nuk jam i impresionuar nga emrat e lojtarëve, pasi vetëm dua të futemi në fushë dhe ta bëjmë punën që duhet bërë”, ka thënë Hazan.
Edhe kapiteni i Izraelit, Bibras Natcho, ka shprehur optimizmin e tij para duelit me Kosovën. Madje ai ka thënë se Izraeli ka ekip për t’u kualifikuar në Evropianin e vitit të ardhshëm, ndërsa në ndeshjen e parë kualifikuese kërkon fitore. Mesfushori Natcho është pjesë e Partizanit të Beogradit, ndërsa me Izraelin ka debutuar në vitin 2010. Edhe ai vlerëson se Kosova është rivali i Izraelit për pozitën e dytë në grup. Favorite për vendin e parë vlerësohet Zvicra.
Kapiteni Natcho shton se Izraeli duhet ta mposht Kosovën për të dëshmuar se mund të kualifikohet në Evropianin e vitit të ardhshëm.
“Ne duam të kualifikohemi në Evropian dhe rruga fillon prej ndeshjes me Kosovën, e cila është shumë e rëndësishme për ne. Luajmë në shtëpi dhe me përkrahjen e madhe të tifozëve besoj se do të triumfojmë. Ne kemi respekt të madh për Kosovën, por do të fokusohemi në lojën tonë dhe punën që duhet ta bëjmë gjatë ndeshjes”, është shprehur Natcho, i cili këtë muaj do të përshëndetet nga Izraeli.
“Është ndeshje emocionale për mua pasi do të jetë e fundit me ekipin në Izrael. Kështu që dua të përshëndetem me fitore dhe ta ndihmoj ekipin. Të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe së bashku dua të bëjmë diçka të rëndësishme. Ne jemi gati për vendin e dytë në grup dhe këtë duhet ta arrijmë. Për këtë pozitë do të luftojnë edhe Kosova e Rumania”.
Tri ditë pas ndeshjes me Kosovën, përfaqësuesja e Izraelit do të luajë në udhëtim kundër Zvicrës.