Duket se asgjë nuk po shkon si duhet për Manchester Cityn këtë moment. Dhe ylli i sulmit, Erling Haaland, nuk është njeri i lumtur.
Nëse do të kishte ndonjë lojtar në Premier League që do t’ia jepnit topin për të realizuar një penallti për të fituar ndeshjen, atëherë ai do të ishte norvegjezi efikas. Por jo këtë herë.
Të enjten, ai mori topin për goditje nga pika e bardhë, në minutën e 53-të të ndeshjes në “Etihad” ndaj Evertonit. Por eksperti i pritjes së penalltive, Jordan Pickford, ndali goditjen e Haalandit. City barazoi 1:1 me Evertonin dhe kështu kriza sa u thellua.
“Si reagoni mentalisht”, ka pyetur trajneri Pep Guardiola për humbjen e penalltisë.
“Jeta nuk është e lehtë. Sporti nuk është i lehtë. Kur ndodh, është në rregull. Kishte ende shumë minuta për të luajtur dhe kemi pasur shanse më pas. Kemi krijuar, është e jashtëzakonshme sa vrapuam e si luftuam. Në disa ndeshje nuk ishte mirë, por në këtë kemi luajtur mirë”, ka shtuar Guardiola.
Në fund të ndeshjes kishte fishkëllima nga tifozët. Haaland hoqi fanellën dhe shkoi menjëherë drejt zhveshtores.
Derisa Haalandi u largua, Guardiola qëndroi i palëvizshëm në fushë, me pamjen e një njeriu të paaftë për të gjetur përgjigje për krizën aktuale.
City ka pësuar rënie të pabesueshme dhe tani ka vetëm një fitore në 13 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Në konferencën pas ndeshjes, tekniku spanjoll mezi është dëgjuar derisa është përgjigjur në pyetjet që i janë bërë.
“Gjuha ime e trupit ishte pozitive”, ka thënë ai.
“Ekipi ka luajtur vërtet mirë. Kemi pasur, nuk e di sa goditje. Pjesa e parë ishte brilante”, ka thënë Pep Guardiola.
City ka listë të gjatë të të lënduarve, por rënia e skuadrës erdhi në kohën kur Haaland po vuan para portës kundërshtare.
Sulmuesi nisi furishëm kampanjën dhe dukej se do të vendoste shumë rekorde. Ka shënuar plot dhjetë gola në pesë ndeshjet e para. Por ka vetëm tri gola në 13 ndeshjet e fundit.
Penalltia ishte goditja e tij e vetme e saktë në portë, por natyrisht lojtarët e Evertonit e kishin në fokus ndaljen e norvegjezit.
I pyetur nëse ka pasur plan të veçantë për ta ndalur Haalandin, trajneri i Evertonit, Sean Dyche, është përgjigjur: “Jo. Jam pyetur për këtë edhe kur kemi luajtur ndaj Chelseat për Cole Palmer dhe për atë se sa lojtar i mirë është ai. E dimë që edhe Haaland është i tillë, por unë besoj në ekip. Nuk shikoj vetëm në një aspekt, shikoj ekipin. Ekipi bëri punë shumë të mirë”, ka thënë Dyche.
Pritja e Pickfordit është edhe më e vlefshme nëse merret për bazë që Haaland kishte realizuar 15 prej 16 penalltive të kaluara në ligë. Një tjetër goditje e tij nga pika e bardhë kishte përfunduar në shtyllë. Për herë të parë atij i është ndalur një penallti nga portieri kundërshtar.
“Pickford është i mirë në vendosjen e presionit te sulmuesit. Haaland ka ndier presionin. Ishte pritje e mirë, por penallti e zbehtë”, ka thënë ish-porteri i Anglisë, Paul Robinson.
Ish-mbrojtësi i Anglisë, Matt Upson, ka thënë se ishte pritje brilante nga Pickfordi.
“Ai i kupton situatat si kjo. Ai nuk e bën të lehtë për asnjë lojtar që gjuan penalltitë. Por fakti që Haalandi humbi penalltinë tregon edhe për shkallën e besimit që është te City momentalisht”, ka thënë Upson.