Kampioni i shumëfishte i Kosovës dhe njehërit skuadra më e suksesshme në arenën ndërkombëtare, FC Ballkani u ka reaguar disa analistëve që kishin thënë se drejtuesit e klubeve po blihen me pak para për t’u mbyllur gojën federata.
Kjo deklaratë duket shumë e ulët, për faktin se këta drejtues investojnë miliona euro në klubet e tyre dhe fare nuk kanë nevojë për lëmosh nga askush.
“Në disa emisione sportive po lejohet tentim degradimi i gjithë punës së madhe që ne kryejmë, sakrificës së jashtëzakonshme që bëjmë, vetëm e vetëm që ta shtyjmë përpara agjendën kombëtare të fuqizimit të progresit në futbollin tonë.
Federata e Futbollit të Kosovës është organizata më e lartë e këtij sporti në shtetin tonë, të gjitha garat ku bëjmë pjesë janë nën ombrellën e saj, andaj ne jemi të prirur ta respektojmë maksimalisht këtë organ dhe e mbështesim në çdo rrugëtim që ka të bëjë me interesin e futbollit nacional”, thuhet ndër të tjera në reagimin e FC Ballkanit.
Reagimi i plotë:.
Reagim!
FC Ballkani shpreh indinjatën e thellë të disa opinionistëve mediatikë, të cilët pa asnjë bazë e mbi të gjitha edhe pa profilizim profesional sportiv, mundohen ta përlyejnë punën e madhe që bëhet në klubet kosovare, ku investohen miliona euro.
Në disa emisione sportive po lejohet tentim degradimi i gjithë punës së madhe që ne kryejmë, sakrificës së jashtëzakonshme që bëjmë, vetëm e vetëm që ta shtyejmë përpara agjenden kombëtare të fuqizimit të progresit në futbollin tonë.
Federata e Futbollit të Kosovës është organizata më e lartë e këtij sporti në shtetin tonë, të gjitha garat ku bëjmë pjesë janë nën ombrellën e saj, andaj ne jemi të prirur ta respektojmë maksimalisht këtë organ dhe e mbështesim në çdo rrugëtim që ka të bëjë me interesin e futbollit nacional.
Megjithatë klubet kosovare, duke përfshi FC Ballkanin, investojnë para të bizneseve që e mbështesin sportin, në këtë rast futbollin.
Po e përsërisim, janë miliona euro çdo vit që investon FC Ballkani dhe qëllimi ynë është mëse fisnik. Ne jemi klub financiarisht i pavarur dhe me krenari investojmë paratë tona për të ardhmën e klubit, njëkohësisht të futbollit kombëtar.
Këtë e dëshmon më së miri fakti se duke u punuar maksimalisht, nxjerrim lojtarë që i shërbejnë Kombëtareve, ëndërr kjo e çdo sportisti.
Referuar edhe një letre të hapur të një gazetari i cili nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe kurrëfar ndikimi në këtë lëmi, synon të na mbajë ligjeratë e të na mësojë se si të veprojmë.
Ne i njohim të gjithë njerëzit e fushës, ne punojmë gjithmonë vetëm me profesionistë, prandaj kemi arritur që ta rrisim nivelin nga viti në vit, jo duke dëgjuar ata që nuk janë kompetentë.
Historia jonë e ka treguar se si me menaxhimin profesional, kemi shkuar dy herë radhazi në grupet e Konferencës Evropiane, derisa synojmë të ngritemi edhe më lartë. Kjo është dëshmia më e mirë e investimit korrekt dhe profesional.
Ju apelojmë të gjithëve, nëse nuk keni mundësi për ta ndihmuar sportin, atëherë të paktën mos e pengoni atë!