Askush nuk e kishte menduar se Ballkani, debutues në arenën ndërkombëtare, do të bëhej menjëherë ekipi më i suksesshëm në futbollin e Kosovës.
Pas titullit të parë në histori skuadra nga Theranda nisi aventurën në kualifikueset e Champions League, por u eliminua nga Zalgiris, duke u zhvendosur në Conference League, aty ku kaloi tre kundërshtarë: La Fioritan nga San Marino, Klaksvik nga Ishujt Faroe dhe Shkupin e Maqedonisë së Veriut, në “play-off”.
Aventura fantastike europiane e Ballkanit përfundoi në Rumani me një humbje minimale përballë Cluj (3 nëntor), por ky rrugëtim do të mbahet mend gjatë jo vetëm në Therandë, por kudo në trojet shqiptare.
Kampionët e Kosovës debutuan në një kompeticion europian në korrik (5). Ballkani-Zalgiris ishte sfida e parë e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, i vetmi trajner shqiptar me dy pjesëmarrje në grupe (Europa League dhe Conference League) me Skënderbeun dhe Ballkanin, por dhe katër herë kampion (Elbasani, Dinamo, Skënderbeu, Ballkani).
Në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, Ballkani barazoi 1-1, ndërsa në ndeshjen e kthimit mungoi fati. Gjithçka u vendos në kohën shtesë (97′). Zalgiris pas 120 minutave lojë triumfoi 1-0 për të vijuar më tej në Champions League.
Mundësia e dytë: Conference League! “Xhebrailat” u transformuan nën udhëheqjen e ekspertit Daja. Kampionët fillimisht eliminuan modestët e San Marinos, La Fiorita, me rezultatin e përgjithshëm 10-0!
Më pas suksesi ndaj ekipit nga Ishujt Faroe, Klaksvik. Në kryeqytet erdhi fitorja 3-2, teksa në ndeshjen e kthimit gjithçka varej nga penalltitë pas humbjes 2-1 në 120 minuta.
Fati u rikthye. Lojtarët u treguan më të saktë se rivalët, portieri gjithashtu. Për herë të parë një klub i Kosovës kaloi në “play-off” të Conference League, aty ku u ndesh me Shkupin, ekipin tjetër shqiptar që po shfaqte vlera në Europë.
Shkupi-Ballkani, duel kampionësh, dy ndeshje historike për kualifikimin dhe një biletë në fazën e grupeve të Conference League, sukses që mbushte fort mirë edhe arkat e klubeve.
Përballjet u zhvilluan në atmosfera mrekullisht emocionuese, ndërsa në fushë u fituan të dyja nga kampionët dardanë (2-1, 1-0).
Ballkani shkroi historinë si skuadra e parë përtej Drinit që mbërrin në fazën e grupeve të një kompeticioni europian, aty ku zhvilloi të tjera performanca fantastike dhe për disa momente u ëndërrua edhe kualifikimi.
E para në “Fadil Vokrri”, Ballkani kundër Cluj, duke treguar direkt se nuk do të ishin thjeshtë një skuadër kalimtare, pasi synimi ishte të luanin të barabartë me kundërshtarët. Heronjtë e Therandës treguan forcën e tyre që në takimin e parë, që prodhoi pikë pas golit të kapitenit Armend Thaqi, por fitorja u kthye në barazim nga një gol i rumunëve në limite.
Në vazhdim erdhi edhe triumfi i parë, pasi ekipi tregoi forcë dhe kualitet edhe ndaj Slavia Prague në Çeki (2-3). Ballkani ngriti flamurin në tokën turke në një fitore të çmendur kundër Sivvaspor, që erdhi në minutën e 94’ falë golit të Endrit Krasniqit. Beteja e paharrueshme përfundoi me rezultatin 3-4, “poker” ku finalizuan edhe Armend Thaqi, Arbër Potoku e Meriton Korenica.
Fitore historike që krijoi entuziazëm dhe i dha jetë shpresave për kualifikimin në fazën me eliminim direkt, por turqit fituan 1-2 në Prishtinë, takim ku ekipi shqiptar shkëlqeu për 70 minuta. Për fat të keq nuk mjaftuan për të sjellë pikë.
Më pas disfata e radhës ndaj Slavia Prague (0-1), me Ballkanin që regjistroi ndeshjen e parë në grupe ku nuk shënonte dot.

Rrugëtimi u mbyll në Rumani me katër pikë dhe tetë gola të shënuar në fazën e grupeve. 14 ndeshje europiane gjatë katër muajve, dhe plot 26 gola.
Kapiteni Armend Thaqi realizoi tre në fazën e grupeve, Albion Rrahmani shtatë si askush tjetër në duelet me eliminim direkt në Conference League.
Presidenti Arsim Kabashi ka merita të mëdha për menaxhimin dhe rritjen e një klubi model. Bashkë me Ilir Dajën krijuan një skuadër me lojtarë emrat e të cilëve shqiptarët i mësuan përmendësh.

“Jemi si një Kombëtare mbarëshqiptare”, shprehej trajneri duke buzëqeshur.
Futboll modern, ritëm, taktikë, sakrificë dhe talent. Guxim e zemër për të fituar duele dhe për t’u përballur pa frikë me kundërshtarë superiorë, dhe dëshirë për të sulmuar e shënuar gola.
Shumë prej tyre falë skemave të zbatuara mjeshtërisht apo aksioneve dhe finalizimeve me cilësi.

Eksperienca e Bajram Jashanicës, shpirti i Armend Thaqit, klasi i Meriton Korenicës, futbollist unik i ligave shqiptare, dhe shperthimi dhe energjia e dyshes Albion Rrahmani e Endrit Krasniqi, u bënë një duke prodhuar emocione dhe krenari.