KB Peja ka reaguar pas ngjarjeve që ndodhen në derbin e fundjavës së fundit, ndaj Sigal Prishtinës.
Kjo ndeshje u zhvillua në palestrën “Karagaçi”, teksa u fitua nga kryeqytetasit, shkruan Gazeta Express.
Përballja në fjalë nuk kaloi pa incidente ku u përfshin edhe tifozët, që rezultuan me zbrazje të tërësishme të palestrës.
Klubi pejan potencoi se gjithçka nisi pas provokimeve nga basketbollisti i Prishtinës, Shaheed Davis, provokime këto drejtuar bankës së Pejës dhe tifozëve.
Kësisoj, “verdhezinjtë” ankohen për mos reagimin e gjyqtarëve ndaj tij, duke pretenduar se ai duhej të ndëshkohej. Davis u ndëshkua vetëm një herë me gabim teknik.
Klubi dukagjinas bëri apel që gjestet e tilla tash e tutje të dënohen.
Shqetësimi tjetër i kampionëve të Kosovës lidhet me vendimin për zbrazjen e tërësishme të palestrës. Sipas Pejës, duhej zbrazur vetëm një pjesë e palestrës, siç ka ndodhur më herët, por edhe të ketë paralajmërim me vërejtje të fundit nga personat zyrtar.
Ky vendim u lidh me kryetarin e Komisionit të Garave, Faton Kurshumlija, që sipas klubit pejan, ai këtë e bëri për hakmarrje.
KB Peja përsëriti se qëndron fuqishëm në luftën kundër huliganizmit dhe sjelljeve jo-korrekte nga tifozët, por bëri thirrje që të rishikohen rregullat e vendosura nga Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), pasi që sipas klubit, basketbolli në Kosovës po vdesë nga këto rregulla absurde.
Reagimi i plotë nga KB Peja (pa ndërhyrje):
“REAGIM!
Si klub, asnjëherë nuk arsyetojmë hudhjet në palestër dhe jemi kategorikisht kundër kësaj gjëje, për të cilën gjithmonë bëjmë thirrje që mos të ndodh.
Por, poashtu – ka ardhur koha që të reagojmë edhe për disa gjëra tjera.
Fillimisht, do t’i potencojmë gjestet josportive të basketbollistit me nr.9 të KB Prishtinës – i cili në raste të ndryshme, të cilat i pasqyrojmë në videon e mëposhtme, provokon bankën e KB Pejës dhe tifozët në të dy anët, duke kapur organet gjenitale në drejtim të tyre. Për këto, basketbollisti me nr.9 i Sigal Prishtinës u ndëshkua me vetëm një faull teknik, edhe pse gjatë gjithë kohës banka e KB Pejës ia bëri me dije gjyqtarëvë të takimit që provokimet e tij josportive mund të dërgojnë deri në eskalimin e situatës.
Për këto gjëra, banka e Pejës u dënua disa herë me gabime teknike pas provokimit të lojtarit në fjalë, që përkundër gjesteve josportive, nuk u ndëshkua nga gjyqtarët e takimit dhe mbeti në ndeshje, kur realisht ishte ai që e nxiti të gjithë situatën.
Gjyqtarët e takimit shumë herë ishin ballë për ballë me gjestet e basketbollistit me nr.9 të Sigal Prishtinës dhe për arsye që nuk mund t’i spjegojmë vendosën që mos ta ndëshkojnë për veprimet josportive dhe aspak të hijshme.
Së dyti, shpesh herë këtë sezon kemi hasur në hudhje në palestra të ndryshme të vendit – dhe në të gjitha herët, PËRVEÇ të shtunën, është zbrasur pjesa e tribunës nga ku kanë ardhur hudhjet, jo e gjithë salla. Kjo erdhi si pasojë e egos dhe hakmarrjes personale të Komisarit të Garave, Faton Kurshumlija, që shkoi përtej çdo ligji të caktuar nga vet Komisioni i Garave për të zbrasur, për herë të parë këtë edicion – të gjithë sallën.
Iu kërkojmë faljve të gjithë sponsorëve, personave eminent, dhe tifozëve e dashamirëve nga të gjitha moshat që përcjellën ndeshjen, të cilëve iu desh të largohen për teket dhe egon e shfrenuar të Komandantit Faton.
Për të njëjtat ndodhi si të shtunën, në ndeshjet e kaluara si Bashkimi – Prishtina, Trepça – Peja dhe Trepça – Prizreni, salla është zbrasur pjesërisht dhe jo e gjitha.
Sa i përket ofendimeve, në çdo palestër këtë vit, përfshirë edhe Supërkupën e Kosovës, spikeri zyrtar gjithmonë ka paralajmëruar dhe nëse rasti është përsëritur – atëherë është zbrasur palestra. Përveç të shtunën, kjo gjë nuk ndodhi dhe salla u zbras pa as edhe një paralajmërim.
Bëjmë apel fuqishëm që gjestet josportive të basketbollistëve që nxisin situata tash e tutje të dënohen, sepse gjithmonë po fajësohet publiku. Poashtu, kërkojmë trajtim të njëjtë të të gjitha situatave, sepse shpesh-herë po dëmtohemi ndryshe në situata të përsëritura përreth vendit.
Këto gjëra po na dëmtojnë jashtëzakonisht shumë, po ndikojnë që të humbas shikueshmëria dhe vdekjen e ngadaltë të basketbollit. Ka shumë njerëz në palestër që vijnë nga afër të ndjekin ndeshjen me familjarët e tyre – dhe detyrohen të ballafaqohen me gjeste të llojit si këtyre të nr.9 të Sigal Prishtinës dhe përjashtim nga palestra, edhe pse ata kurrë nuk përfshihen në eksese që ndodhin.
KB Peja qëndron fuqishëm në luftën kundër huliganizmit dhe sjelljeve jo korrekte nga ana e tifozëve dhe në vazhdimësi punojmë në rregullimin e tyre me atë se çfarë kemi ne në dorë, por rregullat absurde të vendosura nga Bordi i Federatës duhet të rishikohen dhe të rimendohen para se basketbollit të vdesë”.