Qëkur fitorja e Argjentinës në Kupën e Botës e ktheu Buenos Airesin në një festë masive nëpër rrugë, artistët e tatuazheve kanë punuar shumë për të pikturuar imazhin e Lionel Messit në trupat e tifozëve që i bëjnë homazhe njeriut që ka dalë në skenë për ta rivalizuar legjendën tjetër të futbollit të vendit, Diego Maradonan. Në Argjentinë, ku futbolli gjeneron diçka të ngjashme me një entuziazëm fetar, miliona meshkuj dhe femra në rrugë të martën (20 dhjetor) për t’i dhënë ekipit një mikpritje heroike, ndërsa ata vizituan kryeqytetin me autobus pasi u kthyen nga Katari. Pas një nate argëtimi, shumë veta u mblodhën në sallonet e tatuazheve të qytetit për të porositur dizajne që përshkruanin Messin, yllin e skuadrës që udhëhoqi Argjentinën drejt fitores së tretë të Kupës së Botës.
“E dija që shumë njerëz donin tatuazhet e Messit dhe ekipit, sepse më kishin rezervuar para finales”, tha artisti i tatuazheve Sebastian Arguello Paz, i veshur me fanellën e portierit Emiliano Martinez. “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kishte një radhë kaq të gjatë para dyqanit ditën tjetër”.
Një ditë pasi Argjentina mundi Francën me penallti në një finale të jashtëzakonshme, Arguello tha se telefoni në studion e tij po binte pa pushim me pyetje në lidhje me tatuazhet e Messit, Kupën e Botës dhe flamujt e Argjentinës.
“Kisha vendosur të mos bëja më shumë tatuazhe, por kur pashë Messin duke ngritur kupën, isha i sigurt se ky djalë e meritonte një tatuazh”, tha Ramiro Solis, 44 vjeç.
Në studion e artistit të tatuazheve, Andres de Winter, Cristian Grillo bëri një tatuazh anësor në trup të një fanelle me numrin 10 të Messit që mbështeste trofeun e Kupës së Botës dhe tre yjet, duke thënë se donte të bënte homazhe me diçka “ndryshe, të veçantë: ashtu si ai”. E artisti De Winter po përgatit një dizajn të madh të të gjithë “Scalonetas”, siç njihet ekipi i trajnerit Lionel Scaloni.
“Kur Messi i tha lojtarit holandez ‘Çfarë po shikon, budallal?’, e dija që nëse fitonim titullin e botës, do ta bëja tatuazh”, tha Maria Celia Compagno, 68 vjeç.
Ajo tani mban frazën e Messit në parakrah dhe ndihet krenare si me lojtarin ashtu edhe komplet ekipin e Argjentinës, i cili e fitoi titullin e botës pas një pritjeje të gjatë. Herën e fundit, Argjentina pati triumfuar në Kupën e Botës në vitin 1986.
“Kjo frazë do të mbetet gjithmonë në kujtimin e argjentinasve dhe unë jam krenare që e kam bërë tatuazh në trupin tim. Messi e meriton këtë, pasi ai udhëhoqi ekipin drejt një suksesi të madh, i cili ka bashkuar gjithë popullin e Argjentinës”, u shpreh Compagno.
Fraza e bërë nga kapiteni zakonisht i heshtur i Argjentinës ndaj një sulmuesi holandez pas një çerekfinaleje të stuhishme, që atëherë është përjetësuar edhe në fanella, shaka në internet dhe në trupat e njerëzve. E artistët e tatuazheve pranojnë se janë lodhur nga kërkesat për tatuazhet me figurën e Messit dhe shpresojnë që të gjitha ato t’i realizojnë deri në fund të muajit të ardhshëm.
“Messi është imazhi më i kërkuar. Ne, po ashtu, kemi tatuazhet tona që i kemi krijuar me Messin dhe ndihemi krenarë me kapitenin tonë. Ka aq shumë kërkesa, saqë shpresoj që do të mund t’i përfundojë brenda dy muajve. Megjithatë, kërkesat çdo ditë e më shumë po shtohen dhe nuk do ta kemi aspak të lehtë ne si artistë të tatuazheve”, pranoi Paz.