Në prag të ndeshjes hapëse të edicionit të ri të Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë, është e pashmangshme të vëmë re një fenomen që përsëritet sa herë që djemtë dardanë përgatiten për sfida të rëndësishme.
Fatkeqësisht, disa media dhe gazetarë sportivë vendor kanë zgjedhur të shkruajnë në mënyrë negative dhe të shpërqendrojnë opinionin publik nga mbështetja për Kombëtaren, pikërisht kur ajo ka nevojë për më shumë përkrahje se kurrë.
Pikërisht në momentin kur Kombëtarja jonë është në top-formë dhe shpresat për sukses janë më të larta, disa individë zgjedhin të fokusohen në çështje që nuk kanë asnjë lidhje me përpjekjet dhe përkushtimin e futbollistëve tanë. Me sa duket, për disa media dhe analistë, klikimet dhe interesat personale mbizotërojnë mbi mbështetjen e ekipit kombëtar. Por, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është kjo: Kujt i shërben ky lloj qasjeje?
Djemtë e rinj që kanë ardhur në Kombëtare, si Elvis Rexhbeçaj, Eliot Bujupi dhe Fisnik Asllani, meritojnë përkrahjen tonë të plotë. Në vend që të shkruajmë me negativitet, duhet t’u japim kurajo dhe besim, sepse ata janë e ardhmja e futbollit tonë. Përveç kësaj, nuk duhet të harrojmë incidentet që përjetuam në Bukuresht vitin e kaluar, kur tifozët rumunë e shfaqën një sjellje të papranueshme ndaj ekipit tonë. Këto sfida jashtë fushës kërkojnë një përgjigje të fuqishme – unitetin dhe përkrahjen e gjithë kombit për lojtarët tanë.
Një tjetër temë që është ngritur si pretekst për kritikë është gjendja e fushës. Fushat nuk janë gjithmonë të përkryera, por në këtë rast, fusha e lojës është në nivelin e duhur për një ndeshje të tillë ndërkombëtare. Ndërhyrjet për përmirësimin e saj janë të vazhdueshme dhe dihet se përmirësimi i fushës hibdire kërkon kohë dhe kushtet e duhura klimatike për të arritur standardin optimal.
Është e çuditshme se si këto kritika dalin gjithmonë në sipërfaqe pikërisht kur Kombëtarja luan ndeshje kyçe dhe kërkon arritjen e objektivave të saj. Sikur të njëjtat energji të shpenzoheshin në mbështetje të ekipit, sigurisht se atmosfera rreth Kombëtares do të ishte shumë më pozitive dhe ndihmuese për arritjen e rezultateve të dëshiruara.
Kosova nuk ka luksin të përçajë veten në momente të rëndësishme. Lojtarët tanë janë ambasadorët e vendit në arenën ndërkombëtare dhe çdo mbështetje, qoftë nga tifozët apo nga media, është esenciale për suksesin e tyre. Koha është për të qenë të bashkuar, për të mbështetur me zemër dhe me zë, sepse vetëm kështu mund të arrijmë qëllimet që të gjithë i dëshirojmë.
Negativiteti nuk i shërben askujt. Teksa Kombëtarja e Kosovës përgatitet për ndeshjet e rëndësishme të Ligës së Kombeve, duhet të heqim dorë nga kritikat e paarsyeshme dhe të përqendrohemi në përkrahjen e ekipit tonë të zemrës. Fitorja kërkon unitet, dhe është detyra jonë që ta ofrojmë këtë mbështetje të palëkundur. /Futbolli.info