Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka nisur sot grumbullimin katërditor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku për herë të parë vajzat u stërvitën nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Sami Sermaxhaj. Ky grumbullim ka për qëllim përgatitjen e ekipit për turneun ndërkombëtar që zhvillohet muajin e ardhshëm në Egjipt.
Gjatë këtij kampi, Dardanet do të zhvillojnë një ndeshje testuese kundër Kombëtares U19, e cila është caktuar të luhet të premten. Kjo ndeshje do t’i shërbejë trajnerit të ri për t’u njohur më mirë me ekipin dhe potencialet e secilës lojtare. Në stërvitjen e parë, përzgjedhësi Sermaxhaj dha udhëzimet e tij të para, duke shpjeguar qartë kërkesat e tij për fazat e ardhshme të punës me ekipin.
Ky grumbullim shërben gjithashtu si një mundësi e rëndësishme për futbollistet dhe trajnerin e ri që të krijojnë një lidhje më të fortë dhe të njohin më mirë njëri-tjetrin, me qëllim për të arritur performancë sa më të lartë në ndeshjet e ardhshme.
“Është hera e parë që e drejtoj një Kombëtare femrash. Ishte propozim i FFK-së dhe ideja e tyre ishte që jam personi i duhur për ta udhëhequr Kombëtaren A. Pak në fillim e mora me dilema të them të drejtën, për arsye se nuk e kisha menduar asnjëherë më herët dhe nuk kisha shumë njohuri për futbollin e femrave. Por, ishte propozim i Federatës dhe arsyet që më dhanë ata më bindën që në këtë rast jo shumë privilegj, por më shumë përgjegjësi për këtë post dhe mendova se pse të mos kontribuoj gjinisë femrore të shtetit tonë. Nga sot nuk kam dilema, do të punoj me përkushtimin më të madh që të jap më të mirën dhe të nxjerrim më të mirën prej vajzave që përfaqësojnë Kosovën. Federata ka një ftesë që të marrë pjesë në një turne në Egjipt, në një grup me Argjentinën, Brazilin dhe Egjipitin. S’do mend se tradita e futbollit flet për ta, por do të shkojmë atje t’i sfidojmë këto ekipe pa frikë. Ky turne do të na shërbejë që të krijojmë një grup sa më të mirë të futbollisteve për kualifikimet e ardhshme”, theksoi Sermaxhaj.
Ndërkohë futbollistet Erëleta Memeti dhe Lorita Islami theksuan se ky grumbullim do t’i shërbejë ta njohin më mirë strategjinë dhe vizionin e lojës së trajnerit të ri.
“Sot ka qenë stërvitja e parë me trajnerin e ri, dje jemi përshëndetur dhe na ka treguar në teori se si e ka idenë për futbollin, derisa sot e kemi zbatuar në praktikë. Deri tani gjithçka po shkon mirë, kemi bashkëpunim mes vete, ka atmosferë në ekip dhe besoj se do ta kemi një të ardhme të suksesshme. Në këtë grumbullim kanë ardhur disa futbollsite të reja dhe disa futbolliste nga U19. Ato do të mësohen me rregullat e ekipit dhe bashkëpunimi besoj se do të jetë i mirë”, tha Memeti.
“Jam e lumtur dhe shumë krenare për ftesën e Kosovës sepse është mundësi dhe arritje e madhe në jetë, sidomos kur e ke familjen të Kosovës. Sot kemi zhvilluar stërvitje për të na njohur trajneri si futbolliste në aspektin individual dhe për t’u njohur me njëra – tjetrën”, tha Islami.