“Çfarë po ndodh? Po largohet dikush?” Me këtë batutë, Carlo Ancelotti nisi konferencën e
fundit për shtyp si trajner i Real Madridit, në prag të ndeshjes ndaj Real Sociedad, që do të
jetë e fundit për të në stolin e “Los Blancos”.
“E nesërmja do të jetë shumë speciale, është e pashmangshme. Është ndeshja ime e fundit dhe
kur mbyllet një kapitull, gjithmonë ka emocione. Sidoqoftë nuk jam aspak i trishtuar,
përkundrazi, jam shumë i lumtur. Kam dhënë maksimumin dhe largohem i lumtur, sepse një
ditë duhej të ndodhte”, – tha trajneri italian me një buzëqeshje në fytyrë.
Ancelotti tregoi mirënjohjen për gjithçka ka përjetuar në Madrid: “Jam mirënjohës për këto vite.
Lojtarët, klubi, presidenti…, kemi kaluar shumë mirë bashkë. Ia dolëm të fitonim gjithçka. Po
largohem me shumë mirënjohje për mundësinë që më dhanë për të drejtuar lojtarë
spektakolarë. Tani është fundi. Ka qenë një rrugëtim i gjatë, por u përmbyll bukur. Nuk kam
pasur kurrë ndonjë përplasje me presidentin, nuk do të kem as ditën e fundit. Tani fillon një
fazë e re që do ta përballoj me të njëjtin entuziazëm”.
Me humor, përmendi edhe rekordet e tij jashtë fushës: “Edhe fakti që kam bërë më shumë se
700 konferenca për shtyp është një sukses. Edhe aty jemi argëtuar, megjithëse disa pyetje nuk
kanë qenë gjithmonë të lehta”.
Në fjalën e lamtumirës, Ancelotti përmendi me emocione marrëdhëniet e ndërtuara: “Janë ditë
emocionuese, flas me lojtarët dhe shumë njerëz të tjerë. Marrëdhënia ime me të gjithë ka qenë
shumë e mirë, e vlerësoj atmosferën. I falënderoj të gjithë, edhe kuzhinierët që më kanë
përgatitur ‘carbonara’ para ndeshjeve. Janë ditë të veçanta. Emocionohem shumë shpejt, do të
jetë një ditë prekëse dhe nëse qaj, nuk ka problem. Do të jetë një ndjesi e bukur, të cilën do
ta ndaj me Modric, i cili ka qenë një mbështetje spektakolare gjatë qëndrimit tim këtu. Një
lojtar i mrekullueshëm, një legjendë. Ta përshëndes atë do të jetë e veçantë”.
Në lidhje me pasardhësin, Xabi Alonso, trajneri veteran nuk kurseu fjalët e mira: “Nuk dua të
jap këshilla, secili ka metodën e vet të punës. Këshilla ime është: shijojeni Real Madridin! Xabi
Alonso do të jetë i pari dhe i uroj gjithë fatin e botës. I ka cilësitë për ta drejtuar këtë klub.
Shijojeni gjithçka, kjo është ajo që mund të them”.