Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Korenica, “krahu i djathtë” i sukseseve të Ballkanit
    Ballina-1

    Korenica, “krahu i djathtë” i sukseseve të Ballkanit

    19/08/2023 11:34
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    Meriton Korenica shënoi gol të bukur kundër Ludogoretsit në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve me Ballkanin. Gol me gjuajtje të fuqishme nga distanca realizoi edhe të enjten mbrëma, në një tjetër sukses të Ballkanit.

    Ballkani eliminoi kampionin e Gjibraltarit, Lincoln Red Imps dhe siguroi fazën e plejofit të Ligës së Konferencës. Avancoi me rezultatin e përgjithshëm 5:1. Fitoi 2:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe 3:1 në “Victoria Stadium”. Që në fazën e hershme të këtij sezoni, Korenica sërish ka dhënë sinjalet se do të jetë prej lojtarëve kryesorë te Ballkani. Korenica, që luan në pozitën e krahut të djathtë, vazhdon të japë kontribut të madh në sukseset e skuadrës që drejtohet nga trajneri Ilir Daja. Gjashtë gola e një asistim i pati në kualifikimet evropiane në edicionin e kaluar. Ndërsa, këtë edicion ka regjistruar tre gola e një asistim në skenën evropiane.

    “E rëndësishme është që ne po vazhdojmë me rezultate pozitive. Më gëzon si forma personale ashtu edhe ajo ekipore. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj që të bëj ende më shumë për t’i ndihmuar ekipit. Çelësi i të gjitha sukseseve mendoj se është grupi që është shumë i bashkuar. E ndihmojmë njëri-tjetrin për t’i arritur këto rezultate dhe po i shijojmë ato të gjithë së bashku”, ka thënë Korenica për KOHËN të premten.

    Falë suksesit të enjten mbrëma në udhëtim te skuadra nga Gjibraltari, Korenica dhe Ballkani do të kenë përballë BATE Borisovin në fazën e plejofit, një prej skuadrave më të mira në Bjellorusi. BATE ka fituar 15-të herë titullin e kampionit në Bjellorusir, si dhe ka përvojë të gjatë në garat evropiane. Paraqitet thuajse rregullisht në fazat grupore të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Por, në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës u eliminua nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë.

    Ballkani ndeshjen e parë ndaj BATE-s në plejof e luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 24 gusht. Ndërkohë, ndeshjen e kthimit do ta luajë në Hungari një javë më vonë pasi UEFA nuk lejon ekipet e Bjellorusisë që ndeshjet evropiane t’i luajnë në vendin e tyre për shkak të përkrahjes së Rusisë në luftën ndaj Ukrainës. Po ashtu, Bjellorusia është në mesin e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. UEFA ka vendosur që ky ballafaqim të luhet në stadiumin “Mezokovesd Varosi”, që ka kapacitet prej 4500 ulëseve. Korenica e di se ende ka punë për t’u bërë, për t’u përsëritur suksesi i edicionit të kaluar kur Ballkani u paraqit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

    “Kemi edhe dy finale dhe do të përgatitemi maksimalisht për ta shkruar sërish historinë. Duam të punojmë fort në mënyrë që të jemi të gjithë të gatshëm për suksesin që e arritëm në vitin e kaluar”, theksoi Korenica.

    Për Korenicën është thënë se mund të largohet këtë verë nga kampioni i Kosovës. Por ai nuk e di ende të ardhmen e tij. Ballkani, fitues i dy edicioneve të fundit në Superligën e Kosovës në futboll, në janar të këtij viti e shiti për 200 mijë euro Ermal Krasniqin që iu bashkua Clujit të Rumanisë. Javë më parë, Albion Rrahmani nga Ballkani u transferua te Rapidi i Bukureshtit, skuadrës tjetër rumune, për 600 mijë euro. Korenica tani për tani është i fokusuar te faza e plejofit.

    “Të shohim se çfarë do të ndodhë pasi të përfundojë plejofi. Do të bisedojmë me presidentin e klubit dhe do t’i shqyrtojmë ofertat. Kam ende kontratë këtu, por së pari jam i fokusuar te plejofi e më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Korenica.

    Ballkani në edicionin e kaluar të Ligës së Konferencës regjistroi një fitore, një barazim dhe katër humbje në grup me Slavia Pragën, Sivassporin dhe Clujin.

    TË LIDHURA

    Ndeshja e veçantë e Silvas kundër ish-skuadrës

    07/07/2025 22:44

    Ylli i Manchester United në lidhje me ish-të dashurën e Kylian Mbappe

    07/07/2025 20:09

    Rekordi i Lamine Yamal rrëzohet më pak se një vit pas vendosjes – Gilberto Mora shkruan historinë me Meksikën

    07/07/2025 20:00

    Arsyetohet Donnarumma: Nuk ishte qëllimi ta lëndoja Musialan

    07/07/2025 19:45
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.