Përfaqësuesja e Kosovës në futsall kishte epërsi prej dy golave deri në minutën e parafundit të ndeshjes ndaj Holandës. Rezultati 3:1 mbante gjallë shpresat e Kosovës për të avancuar nga raundi kryesor (Main Round) i kualifikimeve për Botërorin 2024. Por në minutën e 39-të, Holanda shënoi dy gola për të barazuar rezultatin në 3:3.
Me këtë rezultat edhe u mbyll ndeshja, ndërsa Holanda mori pikën që ia siguron vendin e dytë në Grupin 11. Kosova mbetet e treta me një pikë të fituar. Grupin e ka fituar Ukraina që ka nëntë pikë nga tri ndeshje. Holanda i ka katër pikë. Ndeshja e fundit e këtij grupi, Holandë – Ukrainë, luhet më 8 mars.
Kosova kaloi në epërsi në minutën e nëntë, kur realizoi Mërgim Dervishaj. I njëjti lojtar shënoi për 2:0 në minutën e 29-të. Kosovës i duhej fitorja me dy gola dallim për të dalë mbi Holandën në tabelë. “Tulipanët” ngushtuan rezultatin në 2:1 në minutën e 31-të, por menjëherë në minutën e 33-të, Ramadan Alaj konkretizoi në gol një aksion model të Kosovës.
Por ajo që ndodh shpesh, u përsërit edhe të premten mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Lojtarët e Kosovës e humbën fokusin dhe pranuan dy gola të shpejtë, brenda një minute.
Rezultatin në 3:2 e ngushtoi Lahcen Bouyouzan, ndërsa Iliass Bouzit shënoi për 3:3.
Te Kosova është dalluar edhe portieri Bajram Ramadani, që bëri shumë pritje. Kosova i kishte 12 raste gjithsej dhe shtatë gjuajtje në kornizë të portës. Ndërsa Holanda i kishte 27 raste dhe plot 19 goditje që shkuan në kornizë të portës.
Në pjesën e dytë Kosova qëlloi shtyllën, ndërsa e kishte edhe një rast të artë.
Në këtë ndeshje te Kosova në postin e përzgjedhësit debutoi Agon Ramadani. Ai nuk ka mundur të llogaris në katër prej lojtarëve kryesorë.
