Kombëtarja e Kosovës në futboll ka luajtur një ndeshje në territorin e Spanjës. Gati katër vjet më parë, saktësisht më 31 mars të vitit 2021, Kosova luajti në Sevilla ndaj Spanjës në kualifikimet për Kupën e Botës 2022.
“Dardanët” do ta zhvillojnë një tjetër ndeshje në territorin e Spanjës. Dhe nuk pritet të përballen me diskriminim sa i takon prezantimit, ashtu siç ndodhi në marsin e vitit 2021. Tani organizatore e ndeshjes në Spanjë do të jetë Islanda.
Përfaqësuesja e Islandës do ta presë Kosovën në Murcia të Spanjës, në stadiumin “Estadio Nueva Condomina”.
Stadiumi që shfrytëzohet nga skuadra Real Murcia ka kapacitet prej 31 mijë ulësesh.
Ndeshja Islandë – Kosovë do të zhvillohet më 23 mars. Do të jetë kthyese, pasi ndeshja e parë e plejofit të Ligës së Kombeve do të luhet në Prishtinë më 20 mars.
Plejofi mes Kosovës dhe Islandës vendos për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Për Islandën është hera e parë që luan jashtë territorit të saj ndeshje ndërkombëtare si nikoqire.
Federata e Futbollit e Islandës të mërkurën për KOHËN ka treguar arsyet pse ka vendosur ta organizojë ndeshjen ndaj Kosovës në Spanjë.
“Është hera e parë që luajmë si vendës jashtë territorit tonë. Nuk ka qenë e mundur të luhen ndeshje në kohë dimri në Islandë pasi nuk kemi pasur të instaluar ngrohje në fushën e stadiumit. Tani në stadiumin tonë janë duke u zhvilluar punime dhe në qershor do të kemi një fushë të re me ngrohje nën tokë. Kështu që në të ardhmen do të mund të luajmë edhe gjatë dimrit këtu”, shkruan në përgjigjen e Federatës së Futbollit të Islandës.
Islanda luan për mbetje në Ligën B.
Ishte renditur e treta në Grupin B4 ku ishin Uellsi, Turqia e Mali i Zi.
Kosova kërkon që të inkuadrohet për herë të parë në Ligën B.
Në Ligën C mbeti prapa Rumanisë në grup, ndërsa ishte më e suksesshme se Qipro e Lituania.
Nuk pritet të ketë telashe sa i takon prezantimit të Kosovës në Spanjë, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Spanja bëri diskriminime të shumta sa i takon prezantimit të Kosovës në ndeshjen në Sevilla. Ndër të tjera, në transmetim televiziv e shkroi “kos” (me shkronja të vogla), derisa e shkroi me shkronja të mëdha ESP.
Tani organizimin e ndeshjes e ka Islanda dhe prezantimi do të jetë i barabartë.
Kosova u përball me Islandën në kualifikimet e para, ato për Botërorin 2018. Humbi 2:1 në Shkodër dhe 2:0 në Reykjavik, në vitin 2017.