Në stadiumin “Fadil Vokrri” u zhvillua ndeshja e dytë në grupin 8, aty ku Kosova U17 pësoi disfatë nga Italia me rezultat 5:2.
Sot, në Prishtinë po qëndron Zvonimir Boban, shef i futbollit në UEFA – dhe ardhja e tij ndodhi me një arsye të veçantë: ndjekjen nga afër të fazës parakualifikuese të grupmoshës U17, ku Kosova është nikoqire e ndeshjeve të grupit 8.
“Dardanët” e rinj patën një sfidë aspak të lehtë, pasi kundërshtar kishin Italinë e drejtuar nga ish-sulmuesi, Corradi.
Në përgjithësi ndeshja u dominua nga italianët, që ishin dukshëm më superiorë në çdo segment të lojës.
Në këtë ndeshje thuhet thënë që titullar për Italinë luajti edhe mbrojtësi me prejardhje shqiptare, Gabriel Ramaj. 16-vjeçari luan për Atalantan dhe ka ndarë mendjen për ta përfaqësuar Italinë para Shqipërisë.
Shumë shpejt Italia fitoi një penallti, pasi në minutën e 5-të Tafaj ndërhyri ashpër ndaj Cocchit. Mirëpo nga pika e bardhë nuk u tregua i saktë mesfushori i kadetëve të Udineses, Simone Pafundi, i cili goditi shtyllën.
Sidoqoftë, mesfushori kreativ italian, Pafundi, pas rreth njëzet minutave tregoi cilësitë e veta, duke tundur portën e “dardanëve” për rezultatin 1:0.
Italia vijoi të ishte më konkrete në lojën e vet. Kështu, fitoi një tjetër penallti në minutën e 36-të.
Edhe pse një tjetër futbollist e ekzekutoi 11-metërshin, Filippo Scotti, Italia sërish dështoi që të shënonte gol. Kësaj radhe sulmuesit të Milanit iu prit goditja nga portieri Salihu.
Gjatë tërë pjesës së parë, Kosova arriti të bënte vetëm një goditje drejt kuadratit të Italisë.
Italia e nisi furishëm pjesën e dytë. Fillimisht ishte mesfushori i Juventusit, Finocchiaro, ai i cili në minutën e 47-të shënoi për 2:0.
Ndërkaq, vetëm dy minuta më vonë, Scotti përmirësoi gabimin e bërë më herët nga pika e bardhë, duke realizuar nga një aksion i krijuar mirëfilltazi nga ekipi kombëtar “azzurro”, për 3:0.
Italia brenda një çereku lojë gjeti edhe golin e radhës, atë të tretin në pjesë të dytë dhe të katërtin në ndeshje. Ishte Pafundi i cli për mrekulli shënoi për t’ia dhënë një tjetër goditje të rëndë Kosovës.
Në minutën e 71-të, përzgjedhësi Arsim Abazi ndërmori disa zëvendësime, duke larguar nga loja Gashin dhe Ahmetin, për t’u dhënë hapësirë Mulajt dhe Kshtanjevac.
Ky duket se ishte një moment kthese në lojë për “dardanët”, pasi në minutën e 76-të shënuan golin e parë përmes Elvir Gashijan. Ai depërtoi me sukses portierin italian, duke dërguar topin në rrjetë për 4:1.
Fatkeqësisht për të, me ta shënuar golin u lëndua dhe u detyrua të zëvendësohej. Në vend të tij hyri Limani.
Me kaq nuk mbaroi gjithçka, pasi Italia në minutën e 82-të gjeti golin e pestë në ndeshje, përmes mesfushorit të akademisë së Romës, Mattia Mannini.
Sido që të jetë, Kosova nuk qëndroi duarkryq. Mulaj, i cili hyri si zëvendësues, realizoi një gol mjaft të bukur nga rreth 20 metra, duke koordinuar një goditje gjysmë vollej, për 5:2.
Ky njëherësh ishte edhe goli i fundit që u realizua në ndeshje. Kësisoj, Italia fitoi me rezultat 5:2 dhe tashmë kryeson në grupin 8.
Më herët, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Finlanda arriti ta mposhtte me rezultat të ngushtë 2:1 Greqinë. Pikërisht është kombëtarja nordike ajo që për momentin ndodhet në vendin e 2-të me 3 pikë, ndërsa Greqia dhe Kosova pasojnë pa asnjë pikë në pozitat e fundit.
Ndeshjen e radhës Kosova do ta luajë më 8 tetor ndaj Greqisë, kur duhet të hyjë me çdo kusht për fitore nëse dëshiron të aspirojë për t’u kualifikuar në fazën e dytë, atë të Elite Round.