Kombëtarja e Kosovës U21 ka zhvilluar sot stërvitjen e dytë në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për sfidën kundër Polonisë, që do të zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 19:00, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025. Për dallim nga seanca e djeshme, lojtarët e përzgjedhur nga trajneri Afrim Tovërlani sot u angazhuan në një stërvitje shumë më dinamike dhe të intensifikuar.
Faton Bunjaku, një nga futbollistët e grumbulluar, ndau përshtypjet e tij për seancën e sotme: “Stërvitja shkoi shumë mirë. Çdo herë që jemi bashkë me Kombëtaren U21, atmosfera është fantastike. Jemi shumë të harmonizuar sepse njihemi mirë me njëri-tjetrin, pasi kemi qenë të grumbulluar disa herë dhe nuk ka pasur shumë ndryshime në grup. Shumë prej nesh janë pjesë e Superligës, prandaj bashkëpunimi është natyral, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Ne presim një mbështetje të madhe nga publiku dhe besojmë se do t’i shpërblejmë me performancën tonë. Mesazhi im për tifozët është ejani në stadium sepse së shpejti do të jemi edhe ne pjesë e Kombëtares A, dhe ne nuk do të mungojmë në përpjekjen për fitore”.
Edhe Redon Ismajli u shpreh optimist për duelin ndaj polakëve, të cilët janë në mesin e favoritëve të grupit: “Sot ishte seanca jonë e dytë dhe gjithçka shkoi siç ishte planifikuar. Dje u përqendruam në rigjenerim, pasi erdhëm nga ndeshjet me klubet tona, ndërsa sot stërvitja ishte më dinamike. Atmosfera në grup është shumë pozitive dhe ekipi është i përgatitur mirë. Nga nesër, do të fokusohemi më shumë në aspektin taktik dhe analizën e Polonisë, e cila është një kundërshtare e fortë. Megjithatë, kemi një seri pozitive prej pesë ndeshjeve pa humbje dhe do të luajmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku nuk kemi luajtur për një kohë të gjatë. Ndjenja është e jashtëzakonshme dhe besojmë në një rezultat pozitiv”.