Albion Rrahmani ka realizuar “hat-trick”, ndërsa Kombëtarja e Kosovës në futboll ka vazhduar me fitore.
Të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 4:2 ndaj përfaqësueses afrikane të Komoreve. Ndeshja nuk zgjoi interesimin e shumë shikuesve, ndërsa shfaqja në fushë nuk ishte e ndonjë niveli të lartë. Por Kosova e shënoi fitoren e pestë rresht. Kishte fituar 1:0 ndaj Lituanisë në nëntor të vitit të kaluar. Në mars fitoi dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve ndaj Islandës, ndërsa të premten e fitoi 5:2 miqësoren ndaj Armenisë.
Përfaqësuesja e Komoreve është pak më poshtë se Kosova në ranglistën e FIFA-s. Kosova është e 97-ta, ndërsa përfaqësuesja e Komoreve është e 105-ta.
Kosova është paraqitur thuajse me ekip të dytë, por të mjaftueshëm për fitore me dy gola dallim. Shkëlqeu sulmuesi Albion Rrahmani. Futbollisti i Sparta Pragës shënoi tre prej golave.
Ishin mysafirët që kaluan në epërsi 1:0. Said Bakari shënoi në minutën e 12-të. Por Rrahmani në minutën e 19-të shënoi për 1:1 me goditje të fortë nga zona. Me rezultatin 1:1 përfundoi pjesa e parë.
Sulmuesi i qendrës, Rrahmani, shënoi për 2:1 në minutën e 59-të, pas një gabimi të rëndë të mbrojtjes së Komoreve.
“Hat-trickun” Rrahmani e kompletoi në minutën e 79-të. Sërish mbrojtja e Komoreve ishte e zbehtë.
Për 3:2 shënoi Said Rafiki në minutën e 85-të. Një minutë më vonë Rrahmani lëshoi vendin në fushë për Fisnik Asllanin, që shënoi golin e katërt në minutën e 92-të. Për Asllanin ishte goli i parë me fanellën e Kosovës.