Kosovare Asllani ka fituar çmimin “Këmba e Artë” për futbolliste. Ajo është shprehur e lumtur që ka pranuar këtë çmim në ceremoninë e organizuar në Monako nga një kompani menaxhimi të futbollit “World Champions Club”. Është hera e parë që ky çmim ndahet edhe për futbolliste. Në konkurrencën e meshkujve, çmimin e fitoi sulmuesi Robert Lewandoëski, ndërsa më herët e kanë fituar edhe Zlatan Ibrahimoviqi dhe Cristiano Ronaldo.
“Jam krenare dhe e nderuar që jam këtu. Më pëlqen të bëj histori dhe ky është një hap i madh. Është shumë që për herë të parë i ndahet edhe një futbolliste. Jam krenare, e frymëzuar dhe e motivuar që jam këtu”, ka thënë Asllani për “Sky Sports”.
Asllani ka falënderuar edhe Monakon, Princin Albert, presidentin Antonio dhe gjithë organizatorët e kësaj ngjarjeje sportive. Ajo ka shtuar se është vetëm fillimi i forcimit të futbollit të femrave. Asllani pret që në të ardhmen futbolli i femrave të ketë fokus të veçantë në të gjithë botën. Në fakt, Asllani ka qenë rregullisht e zëshme për të drejtat e futbollisteve. Ka kërkuar të ketë përkushtim më të madh nga FIFA dhe UEFA. Sulmuesja 29-vjeçare foli edhe për pjesëmarrjen e saj me Suedinë në Kupën e Botës në vitin 2023. Ajo beson se Suedia ka ekip për ta fituar Botërorin që mbahet në Australi dhe Zelandë të Re.
Udhëtojmë për ta fituar, sigurisht. Kjo është ëndrra. Ishte një frymëzim për të parë Kupën e Botës dhe të luash në Kupën e Botës në verë pas gjashtë muajsh. Është vërtet një frymëzim. Mendoj se kemi ekip për ta fituar dhe besojmë se mund t’ia dalim”, ka thënë sulmuesja kosovare.
Asllani nuk do të jetë e vetmja futbolliste me rrënjë nga Kosova që do të paraqitet në Botërorin e vitit të ardhshëm. Me Zvicrën pritet të luajë edhe Riola Xhemaili. Xhemaili është ftuar rregullisht kohët e fundit nga Zvicra. Asllani ka një karrierë të bujshme në futbollin ndërkombëtar. Për Suedinë nga viti 2008 ka luajtur 169 ndeshje dhe ka shënuar 44 gola. Aktualisht luan në Itali për skuadrën e Milanit, ndërsa nuk i kanë munguar sukseset edhe si lojtare e Real Madridit. Më herët, Asllani karrierë ka bërë edhe te Chicago Red Stars në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Francë te Paris Saint-Germaini dhe në Angli te skuadra e Manchester Cityt. Në PSG, ajo shënoi 39 gola në 29 paraqitje. Asllani ka luajtur rol kyç në sukseset e Suedisë. Me Suedinë, ajo ka fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të vitit 2016. Ka marrë pjesë edhe në Kupën e Botës në vitin 2019, ndërsa është paraqitur edhe në Evropian. Ajo mban disa rekorde.