Ardian Kozniku ka folur për mediat kroate në lidhje me transferimin e Arbër Hoxhës nga Slaven Belupo tek Dinamo Zagreb.Kozniku thotë se Hoxha është lojtar i madh dhe se e njeh atë që nga koha kur ai luajti tek Ballkani, me ç’rast kishte paraqitje të shkëlqyeshme.
“Sa i përket kompensimit, unë vërtet nuk do të hyja në këtë, sepse vetë klubet e dinë më së miri se sa buxhet kanë në dispozicion. Sa i përket cilësisë së vetë Hoxhës, e njoh që më parë kur luante për Ballkanin. Atje ai tregoi potencial të madh dhe premtoi se do të shndërrohej në një lojtar të madh. Unë nuk e kam të qartë pse ai nuk pati një shans te Lokomotiva, sepse dominoi në ligën e Kosovës dhe me bashkëlojtarë më të mirë mund të jetë vetëm më i mirë. Cilësia e tij nuk vihet aspak në dyshim dhe sigurisht që Dinamo nuk e ka njohur rastësisht dhe e ka sjellë. Slaven duhet përgëzuar që e sollën dhe i dhanë një shans, tani ua ka shpërblyer. Hoxhës i uroj vetëm më të mirat dhe të tregojë të gjithë potencialin e tij në Dinamo”, tha fillimisht Kozniku për Index Hr.
Kozniku thotë se Hoxha mund t’i japë shumë Dinamos, sepse ka gjithçka që i duhet një lojtari modern.
“Jam i sigurt se ai mund të japë ndeshje shumë të mira për Dinamon, është vetëm çështje që ai të përshtatet. Është ndryshe të luash në Slaven sesa në Dinamo apo Hajduk, që janë klubet tona më të mëdha dhe je çdo ditë nën lupë. Por, e përsëris, cilësia është aty dhe nuk kam frikë për të. Është mirë edhe për kombëtaren e Kosovës apo Shqipërisë, varësisht se kush do ta thërrasë, sepse besoj se përmes Dinamos mund të meritojë thirrje. Ai tregon cilësi shumë të mira të një lojtari modern pasi ka një këmbë të fortë të majtë dhe të djathtë dhe driblime dhe rishikim të shkëlqyer të lojës”, vazhdoi ai.Në fund, 56 vjeçari tha se pret që ai ta ketë shansin e tij në Dinamo Zagreb.
Me sa kuptoj unë, Jakirovici ka insistuar për të. Ai ka pasur rastin ta shikojë prej disa vitesh, kështu që jam i sigurt se do ta ketë mundësinë dhe i takon atij të përfitojë prej tij. Gjithmonë ekziston rreziku që një lojtar të mos përshtatet me një klub më të madh, por unë nuk besoj në këtë, në rastin e Hoxhës”, përfundoi Kozniku.