13 ndeshje radhazi pa fitore, mes tyre 7 humbje vetëm në Premier League, e kanë kthyer në makth këtë sezon për Man.City.
“Qytetarët” e kanë të pamundur të dalin nga kriza, e ka të pamundur edhe Pep Guardiola të gjejë një zgjidhje duke bërë që ekipi i tij të vijojë rënien drastike, për momentin e shohin veten totalisht jashtë çdo objektivi, për tituj as që diskutohet, por edhe prezenca në Champions League është në dyshim të fortë pasi ndodhen në vendin e 7-të në kuotën e 28 pikë.
Në Angli, mediat shkruajnë se City pritet të futet në merkato për të vënë në jetë të paktën dy goditje të rëndësishme, pasi është jetike gjetja e një zëvendësuesi për Rodrin dhe një zëvendësues për Haaland, me biondin që është totalisht jashtë formë, e vërtetoi këtë edhe kundër Everton teksa gaboi në mënyrë fatale një penallti. Për momentin Guardiola dhe pjesa e tjetër e stafit drejtues mbetet në pritje të vendimit që do të merret mbi ta, ku akuzohen se kanë shkelur 115 rregulla të “Fair Play Financiar”, në rast dënimi i gjithë ky diskutim do të bëhej “nul”.
Vetë Guardiola nuk preferon të flas për këtë pjesë, as për gjyqin e as për merkaton, por pas Everton pranon se ekipi i tij mbetet i brishtë duke pësuar gol thuajse në goditjen e parë: “Luajtëm mirë, por jemi në një periudhë ku pësojmë gol në tentativën e parë, kjo gjë po ndodh shpesh për fat të keq. E synuam shumë zonën e kundërshtarit, por për fat të keq nuk arritëm të bënim rezultat. Ndeshja e fundit kundër Leicester? Për momentin duhet të rikuperojmë mirë, të shkojmë atje me mentalitetin e duhur, kjo është ajo që duhet të bëjmë”, u shpreh Guardiola.