Sajti i njohur kroat, index.hr, ka shkruar të hënën për rritjen e hatashme të mbrojtësit të Kosovës, Amir Rrahmani. Rrahmani një pjesë të karrierës e kishte kaluar në Kroaci. Nga Partizani i Tiranës në vitin 2015 ishte transferuar te Spliti.
Një vit më vonë e mori Dinamo e Zagrebit, që ndërkohë e huazoi për një edicion te Lokomotiva e Zagrebit. Mbrojtësi kosovar në vitin 2019 kaloi nga Dinamo te Verona. Tani është te Napoli dhe po shkëlqen. Rrahmani vlerësohet prej lojtarëve bartës të Napolit që po marshon drejt titullit të kampionit.
“Njëri prej lojtarëve të rëndësishëm të Napolit vetëm tri vjet më parë ka luajtur për Dinamon, ndërsa shumicës së tifozëve iu erdhi mirë që u largua nga klubi. Fjala është për Amir Rrahmanin, mbrojtësin 28-vjeçar të Kosovës. Në ‘Maksimir’ erdhi në verën e vitit 2016. Dinamo e bleu nga Spliti për 1,6 milionë euro, në njërin prej transferimeve më të mëdha në histori të kampionatit kroat. Pasi kaloi një edicion huazim te Lokomotiva dhe Dinamo humbi titullin, ai u kthye në ‘Maksimir’. Iu imponua trajnerit Nemanja Bjelica që shpesh e përdori si mbrojtës të majtë. Ndonëse Rrahmani është mbrojtës qendre, gjithanshmëria dhe fleksibiliteti, së bashku me modestinë, janë anët e forta të tij. Por te Dinamo asnjëherë nuk ishte bartës i lojës apo i projektit të klubit. Kur në verën e vitit 2019, Verona ofroi për të 2,1 milionë euro, Dinamo me dy duart pranoi ofertën. Rrahmani pas 57 ndeshjeve dhe katër golave me Dinamon u transferua në njërën prej ligave kryesore evropiane. Tifozët e Dinamos ishin gati njëzëri të pajtimit që ishte një transferim i shkëlqyer dhe çmim i shkëlqyer për një lojtar të tillë”, ka shkruar sajti kroat. “Index.hr” shkruan se ai vlerësim megjithatë ishte i gabuar. Rrahmani shkëlqeu te Verona dhe vetëm pas gjashtë muajsh siguroi transferim te Napoli. “Transferimi ishte 14,2 milionë euro, shtatë herë më shumë se shifra për të cilën e shiti Dinamo. Napolitanët e lanë në huazim te Verona deri në fund të atij edicioni. Prej edicionit 2020/2021, ai është i rregullt në përbërjen bazë të Napolit”.
Vlera e Rrahmanit tani, sipas “transfermarkt”, është 25 milionë euro. Ai është prej mbrojtësve më të mirë në Serie A, ndërsa shifrat e tij janë spektakolare. Tutje sajti kroat ka shkruar në superlativ për Rrahmanin që po e ndihmon Napolin ta fitojë titullin. “Është sidomos impresiv fakti që pëparimin e madh e ka bërë me 26 e 27 vjet, kur shumica e lojtarëve vlerësohen plotësisht të formuar dhe pakkush investon në zhvillimin e tyre. Shembulli i tij dëshmon se mbrojtësit më vonë hyjnë në vitet më të mira sportive dhe se asnjëherë nuk është vonë për të zhvilluar lojën. Lojtari që te Dinamo ishte vetëm kalimtar, tani është ‘hit’ në Serie A”, ka shkruar “index.hr”.