Kosova edhe këtë vit është pasuruar me ari, argjend e bronz.
Këto flori i kanë sjell sportistët e xhudos, që s’kanë të ndalur ta bëjnë këtë. Në çdo garë ku ata kanë marrë pjesë gjatë vitit 2022, nuk janë kthyer, pa së paku një medalje.
Distria Krasniqi ishte më e dalluara pasi pothuajse në çdo vend i ka rrëmbyer medaljet dhe nuk ka lejuar që të kthehet pa to, duke e pasuruar arkën – për çfarë Kosova njihet në botë.
Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi gjatë këtij viti pati një eksperiencë pak më ndryshe se lufta në tatami, pasi tani nuk është më në rolin e garueses por të trajneres.
Ajo këtë detyrë e ka perfeksionuar në kohë të shpejtë, duke qenë edhe përkrah trajnerit legjendar Driton Kuka, i cili me sportin e xhudos, ka bërë që Kosova të njihet anembanë botës.
Kelmendi është përgjigjur se a e kishte më lehtë kur ishte garuese, apo tani si trajnere.
“Shumë më e vështirë si trajnere se sa si garuese, duhet me u përshtatë me secilin garues, nuk mundesh secilit me iu qasë në mënyrë të njëjtë”, ka thënë Kelmendi për KlanKosova.tv.
Ajo përmendi një faktor që po bëhet çdo ditë e më shumë e vështirë që t’i motivojë garuesit në stërvitje.
“Gjithmonë duhesh me gjet mënyrën se si me ba garuesin me jep maksimumin në stërvitje diçka që po bëhet çdo ditë e më e vështirë, për shkak të rrjeteve sociale”.
Kelmendi theksoi se për të ky ishte vit i vështirë, por shtoi se kishte edhe momente të mira sa i përket punës si trajnere.
“Në përgjithësi ka qenë vit i vështirë me shumë të papritura por edhe momente të mira sa i përket punës si trajnere dhe jetës personale, mirëpo jam falënderuese për çdo gjë”.
Kampionia olimpike tregoi se ishte Driton Kuka që ia ka ngulitur idenë që të bëhet trajnere.
“Punën si trajnere e kam menduar shumë kohë më parë, mirëpo ka qenë Toni ai që e ka ngulitë si ide në kokën time qysh pas Lojërave Olimpike të Rios”.
Ajo shtoi se është bekim për të që e ka një trajner si Kuka afër vetes.
“Jam jashtëzakonisht me fat që mundem me qenë afër Tonit – trajnerit më të mirë në botë – dhe të mësoj prej tij punën e trajnerit. Prej Tonit mundohen shumë, trajner të suksesshëm botërorë të mësojnë. Unë me qenë afër tij është bekim”, ka rrëfyer Kelmendi.
Ajo në fund shtoi se tani është një gjeneratë e re që do të dalë në skenën e xhudos së Kosovës.
“E kemi një gjeneratë të mirë të të rinjve të cilët po punojnë dhe janë shumë të talentuar, kështu që besoj që në të ardhmen do të kemi emra të rinj në skenën e xhudos së Kosovës, për kadet, juniorë e pse jo edhe për seniorë”, përfundoi ajo.
Ndërkohë trajneri më i suksesshëm kosovar, Driton Kuka për Klankosova.tv, ka thënë se viti 2022 ka vazhduar me suksese, duke përmendur edhe befasinë e vitit.
“Viti 2022 viti që ka vazhduar me suksese për xhudon e vendit tonë. Medalje nga garat elitare kanë ardhur dhe emra të rinj janë potencuar Laura Fazliu, emër i ri që po del në skenën e madhe botërore krahas tashmë super yjeve tona. Ajo është befasia e këndshme e vitit 2022”, ka thënë Kuka.
Trajneri Kuka ka thënë se objektivi për vitin 2023 është të kenë brenda Normës Olimpike 5-6 garues.
Ai shtoi se suksesin më të lartë për viti që po lëmë pas e arriti Distria Krasniqi.
“Rezultatet më të mira i ka arritur Distria Krasniqi që mori medalje në Evropian, Botëror, Lojëra Mesdhetare e në fund e artë në Masters”.
Në fund Kuka përmendi se Dardan Cena do të jetë perspektivë e madhe e xhudos kosovare.
“Xhudistë të rinj kemi shumë, Dardan Cena sivjet mori medalje Evropiane dhe është perspektivë e madhe e xhudos kosovare”.
Është vështirë të gjesh garë, ku xhudistët kosovarë nuk kanë siguruar medalje. Duke filluar qysh nga gara e parë që kanë marrë pjesë – në Grand Prixin e Portugalisë, ku kampionia olimpike, Distria Krasniqi e rrëmbeu medaljen e artë.
Ndërsa në Grand Slamin e Parisit, Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë.
Në European Open të Sarajevës, Loriana Kuka e rrëmbeu medaljen e artë.
Distrisë medalja nuk i mungoi as në Kampionatin Evropian, pasi e rrëmbeu atë të bronztën. Teksa xhudistja nga Mitrovica, Laura Fazliu e pati një paraqitje fantastike duke arritur të fitojë medaljen e argjendtë.
Distria Krasniqi e artë ishte edhe në Grand Slamin e Tbilisit.
As në Lojërat Mesdhetare nuk munguan medaljet nga sporti i xhudos, ku pesë sosh u siguruan nga kosovarët.
Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu e fituan medaljen e artë, teksa Akil Gjakova dhe Flaka Loxha e fituan atë të bronztën.
Në Grand Prixin e Kroacisë, Distria si çdo herë siguroi medalje, këtë herë të argjendtën.
Edhe në Kampionatin Botëror, Distria Krasniqi fiton medalje, atë të bronztën.
Në Grand Slamin e Abu Dabit, Nora Gjakova pasi u rikthye prej një lëndimi që e mbajti jashtë për rreth 15 muaj, e fitoi medaljen e argjendtë. Ndërsa Loriana Kuka e fitoi medaljen e bronztë.
Edhe në Grand Slamin e Baku, Nora u stolis me medalje, këtë herë me të bronztën. Pa medalje në këtë garë nuk mbeti as Loriana Kuka, e cila e fitoi medaljen e bronztë.
Edhe në garën e fundit për këtë vit, medaljet s’kishte mundësi që të mungonin. Distria Krasniqi u stolisë me medaljen e artë, teksa Laura Fazliu e argjendtë. Gara ishte në World Judo Masters që u mbajt në Jerusalem.