Miroslav Bllazheviq, i njohur si Qiro, vdiq sot në moshën 88-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit. Ai ishte një legjendë e futbollit kroat që la gjurmë edhe në futbollin e Kosovës.
Ai fitoi shumë gjatë karrierës së tij legjendare, por një sezon më Prishtinën i mjaftoi për ta fituar dashurinë e kosovarëve dhe anasjelltas.
Bllazheviq, i cili e tronditi kur e zuri vendin e tretë në Kupën e Botës 1998 në Francë, i kishte udhëhequr Prishtinën gjatë sezonit1985-86, në kohën kur prishtinasit po garonin në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë.
Ai e shpëtoi Prishtinën nga rënia prej ligës elitare të atëhershme dhe gjatë një interviste më 2020, kishte thënë se periudha më e mirë që e kaloi si trajner ishte pikërisht në kryeqytetin kosovar.
Më mposhtë mund ta lexoni një rrëfim të tij për Prishtinën të publikuar në vitin 2022:
Në dimrin e ’84. Prishtina ra në ligën e dytë. Të paktën kështu thuhej në Jugosllavi. Nuk ka asnjë mrekullibërës, thoshin ata, që mund ta shpëtojë atë. Morali i lojtarëve ishte i ulët, rezultatet ishin të këqija… Përshtypja ishte se asgjë nuk ishte në rregull! Edhe pse, duhet të jem i sinqertë, aty luanin lojtarë si (Fadil) Vokrri, (Kujtim) Shala, Batroviqi… Të gjithë ata futbollistë të talentuar, edhe vëllezërit Muriqi kanë qenë atëherë, por ata thjesht nuk funksionin si ekip.
Në të njëjtën kohë, Prishtinën nuk e kisha as në plane. Unë isha trajner në Zvicër dhe sapo e kisha fituar kampionatin me Grasshoppers. Mirëpo, erdhën dy burra, zotërinj, grabitës të vërtetë, dhe thanë se kishin premtuar se do të më sillnin në Prishtinë. E di se çfarë është premtimi, por nuk i mora seriozisht menjëherë. Këmbëngulja dhe siguria e tyre se vetëm unë mund t’i ndihmoj që të mos bien nga liga, pas një kohe m’i solli ca dyshime në mendjen time.
“Të gjithë janë në këmbë atje…”, më siguruan, “ju jetoni për ta shpëtuar Prishtinën!”.
Nuk ishte vetëm një çështje sportive, por edhe politike në atë kohë. Prandaj, unë e lashë një Grasshoppers dhe u pajtova. Presidenti i klubit mendoi se isha çmendur, dhe e ftova të bënte një shëtitje me mua në rrugën Bahnhoffstrasse. Nëse një nga këta zviceranët më përshëndet, i them, do të qëndroj, e nëse jo – menjëherë hip në tren dhe shkoj në Prishtinë!
Ai pranoi dhe unë e dija që askush nuk do të më shikonte. Zviceranët janë të tillë. Unë ua fitova kampionatin, dhe ata mendojnë me vete: kush dreqin je ti… Dhe ne vazhduam të ecnim, e përshëndesja me kokë çdo kalimtari por jo edhe ata mua. Më shikonin si të çmendur! Arritëm në fund të rrugës dhe presidenti më shtrëngoi dorën, më kërkoi falje dhe më uroi fat të mirë në Prishtinë.
Bileta që bleva ishte, sa për të bërë pak shaka, një drejtimëshe
Dhe atje, në Prishtinë – më rrëqethet trupi kur e kujtoj – diçka krejtësisht ndryshe. Arrij në tre të mëngjesit dhe më presin dy mijë e gjysmë persona. Dhe të gjithë ata më thonë, ju lutemi merreni këtë, shalle të bardha. Me vete mendoj nga i kanë marrë shallet, për atë zot. E dija që ishin të varfër dhe çdo fëmijë, burrë e grua mbante shall në qafë… Ata, siç e kuptova vetëm më vonë, i kishin prerë shallet e bardha nga çarçafët për të më kënaqur mua dhe për t’m’i vendosur rreth qafës.
Parafytyrojeni atë fanatizëm, ju lutem!
Ata prisnin shumë nga unë kur erdha në tokën e tyre, fitova kampionatin jugosllav me Dinamon dhe isha si një yll, ata besuan se i kishin shpëtuar rënies nga liga. Kjo ishte diçka jo lehtë e kapërcyeshme. Kur pritshmëritë janë të larta për shkak të reputacionit dhe besueshmërisë suaj, atëherë duhet ta shfrytëzoni mirë veten për të justifikuar të gjitha.
Tani, ju mund të mendoni, 35,000 njerëz ishin vazhdimisht në stadium dhe po aq, madje edhe më shumë, jashtë stadiumit. Ishte një eufori futbolli që nuk harrohet. Ne trajnerët e dëshirojmë gjithmonë një atmosferë të tillë dhe klima që më krijuan në atë kohë ishte diçka e padëgjuar.
Unë thjesht do të hyja në dhomën e zhveshjes, do të vendosja gishtin tim tregues në gojë dhe do të thosha, ‘Psst. Djemtë e mi, e dëgjoni këtë audiencë të mrekullueshme? Ata erdhën këtu për ju, nuk janë këtu për mua. Secili nga ata tifozë priti disa orë për të hyrë në stadium dhe për të parë ju duke luajtur. Mos i zhgënjeni!’
Vardari, Sutjeska, Rijeka, Dinamo Vinkovci, Velezhi, Radniçki, ne nuk e humbëm lojën deri në fund, ne siguruam qëndrimin në ligën e parë dhe unë e mora konfirmimin për atë që isha i bindur: se nuk gabova kur vendosa të vij këtu!