Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës për ta përgëzuar ekipin për arritjen në finalen e ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026 dhe për t’i ofruar mbështetje para kësaj sfide historike përballë Turqisë.
Fillimisht, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e falënderoi kryeministrin Kurti, ministrin e Sportit, Blerim Gashiani dhe zëvendësministren Daulina Osmani, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.
Në fjalën e tij para futbollistëve dhe stafit, kryeministri Kurti i uroi Dardanët për fitoren historike në Bratisllavë, duke theksuar se rrugëtimi deri në finale është plotësisht i merituar.
Sipas tij, miliona shikues në mbarë botën ndjekin këtë ngjarje dhe përmes Kombëtares ekziston mundësia që historia dhe talenti i Kosovës të prezantohen në arenën më të madhe.
“Përmes juve si ekip e kemi mundësinë ta vendosim Kosovën dhe historinë e saj të qëndresës e talentit në sytë e mbarë njerëzimit. Pas jush është jo vetëm një shtet, por një komb i tërë. Janë tifozët në stadium, janë familjet tuaja, janë qytetarët në çdo banim, fshat e qytet dhe janë të gjithë shqiptarët kudo në botë. Kjo mbështetje masive është forca juaj dhe merreni me vete në fushë. Dhe mos harroni besimin për fitore në këtë finale e keni ndërtuar ju si ekip, me trajnerin dhe gjithë stafin udhëheqës dhe mbështetës”, tha Kurti.
