Kampionati Botëror i futbollit do të zhvillohet këtë vit nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor në Katar.
Tashmë atje është bërë gjithçka gati sa i përket infrastrukturës ku janë ndërtuar stadiume ekskluzivisht për këtë ngjarje dhe disa prej tyre edhe do të demolohen menjëherë pas përfundimit të kampionatit. Struktura e njërit prej këtyre stadiumeve mund të arrijë në Kosovë.
Bëhet fjalë për stadiumin “Ras Abu Aboud” në Doha dhe KosovaPress nga burime brenda Federatës së Futbollit të Kosovës mëson se ky institucion ka aplikuar për të marrë këtë stadium, gjë e cila, sipas të njëjtave burime, ka marrë edhe mbështetjen e presidentit të FIFA-së, Gianni Infantino i cili ka ofruar gatishmëri që ta ndihmojë Kosovën për ta fituar këtë donacion.
Për më shumë, i njëjti burim i ka thënë KosovaPressit se kjo çështje është diskutuar edhe në takimin e Infantinos me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kjo e fundit ka ofruar bashkëpunimin e saj për këtë çështje. Tutje, në këto takime, diskutuar edhe për mënyrën se si do të bëhet transportimi i të gjithë konstruktit prej metali të stadiumit dhe kjo pritet të bëhet me financimin e vet shtetit të Katarit.
Ndryshe, Kosova po vazhdon të vuajë për shkak të problemeve infrastrukturore dhe një ndihmë e tillë do të ishte mëse e mirëseardhur për futbollin e Kosovës. Gjithsesi, për marrjen e këtij stadiumi mësohet se ka konkurrencë edhe nga disa shtete të tjera dhe duhet të pritet konfirmimi nga ana e FIFA-se pas Kampionatit Botëror.
Në FFK ende nuk ka ndonjë plan se ku do të mund të vendosej ky stadium, por hapa konkret rreth kësaj çështje do të merren vetëm nëse konfirmohet se Kosova do të jetë përfituese e këtij donacioni.