Zlatan Ibrahimovic nuk ka ndërmend të heqë dorë dhe ta mbyllë karrierën duke qenë në rolin e spektatorit. Suedezi, tashmë 41-vjeçar, ëndërron një fund prej protagonisti, ndaj në një intervistë të fundit për CNN, thekson se po punon për t’u rikthyer në fushë. Sakaq, sulmuesi thekson se do të ishte mirë që personat që e rrethojnë ta lajmërojnë kur ai të shndërrohet në një lojtar të avashtë dhe që ngadalëson manovrën e skuadrës.
“Unë kam një pasion të madh për futbollin. Tani është një situatë tjetër duke njohur edhe moshën time, por edhe organikën këtu tek Milan. Po shijoj çdo ditë sepse kur të tërhiqem nga futbolli nuk dua të më mbetet peng asgjë. Po mundohem të ruaj të njëjtin nivel me të rinjtë që janë në skuadër, punoj shumë që të mbaj ritmin. Tani mendoj vetëm të rikuperohem dhe kur të jem përsëri i shëndetshëm do të shohim sa larg mund të shkoj.
Unë do të vazhdoj të luaj përsa kohë të kem rezultate. Por, në ditën që do të ngadalësohem, dua që ata persona që më rrethojnë të tregohen të ndershëm dhe të ma thonë. Edhe unë do të jem realist e më pas do të konsideroj tërheqjen. Në mentalitetin tim është puna, sepse nëse nuk punoj sa duhet atëherë nuk ndihem mirë. Kjo të dërgon larg dhe të bën të sfidosh trupin, sepse gjithçka në jetë ka të bëjë me sfidat ndaj vetes. Sa larg mund të shkosh dhe sa mund të përmirësosh fizikun tënd?
E vështirë të konkurrohet Premier League dhe klubet me para? Paratë sjellin mundësi, Premier League ka më shumë bujë se Serie A dhe prandaj klubet atje janë më mirë ekonomikisht. Por, të mos harrojmë se bëhet më emocionuese dhe sfiduese për klubet italiane të mposhtin të tjerët. Ne këtu në Itali jemi profesionistë si kolegët e kampionateve të tjera dhe topi është i rrumbullakët, në fund ne në fushë bëjmë të njëjtin profesion”, tha Ibra.