Pas një sezoni e gjysmë me fanellën e Skënderbeut në Kategorinë Superiore, Leart Sadriu u transferua verën e kaluar te sllovenët e Mura-s, ku është përshtatur mjaft mirë dhe ka fituar një vend titullari.
Mbrojtësi 21-vjeçar nga Ferizaj ishte i ftuar në emisionin “Koha Shtesë”, ku diskutoi lidhur me periudhën aktuale tek skuadra sllovene Mura dhe zgjedhjen mbi kombëtaren që do të përfaqësojë në nivel ndërkombëtar.
Mbrojtësi kosovar Sadriu, i cili po zhvillon sezonin e parë tek kjo skuadër, ka arritur të ambientohet pavarësisht këtij rezultati. Sot ai luajti në pjesën e parë ku Mura FC pësoi 3 gola gjatë pjesës së parë. Mirlind Daku një tjetër kosovar shënoi në minutat shtesë për t’i dhënë shpresë skuadrës që në të dytën të zhvillonte paraqitje më bindëse, por Maribor realizoi edhe 2 gola të tjerë për të vulosur rezultatin final, pavarësisht se Sadriu ishte zëvendësuar që në fillimin e pjesës së dytë.
I pyetur se si është ambientuar Sadriu tha se nuk ka qenë rrugëtimi më i lehtë por ja ka dalë mbanë falë besimit nga trajneri i skuadrës: “Fillimi ishte i vështirë por mu dha mundësia dhe kam arritur të zhvillojë paraqitje të mirë dhe kam fituar epitetin e titullarit“.
I pyetur se sa e ka ndihmuar prezenca e Mirlind Dakut në skuadër Sadriu u përgjigj: “Po jemi miq të mirë me Mirlindin dhe ai më ka ndihmuar që ta kem më të lehtë të përshtatem te Mura. Ne luajtëm bashkë edhe tek përfaqësuesja U19”.
Sadriu gjithashtu foli dhe për ndryshimin në pozitën që luan. “Unë jam më i sigurt në qendër të mbrojtjes, por po luaj në krahun e majtë, kam zhvilluar më parë ndeshjet në këtë pozitë për kombëtaren U21 dhe në këto momente kjo ndodh sërish dhe do të shoh çfarë do të ndodhë më vonë.“, theksoi Sadriu. “Shpresoj të luaj së shpejti për kombëtaren kosovare dhe do të provoj të jem pjesë e saj, por në fund trajneri është ai i cili do të vendosë”.
Ai gjithashtu i kushtoi rëndësi ritmit që kampionati slloven ka krahasuar me atë maqedonas dhe tha se në të ardhmen shpreson të transferohet në kampionatin italian Serie A.
“Në këtë kampionat dallimi më i madh është ritmi i ndeshjeve dhe gjithashtu ju jepet mundësi lojtarëve të rinj, por definitivesh ritmi është diferenca kryesore nga ky kampionat me atë maqedonas. Momentalisht jam larg Evropës dhe shpresoj se në të ardhmen do të luaj në një kampionat edhe më të fortë, ëndrra ime është të luaj në Serie A“, u përgjigj Sadriu.
Në fund Sadriu u pyet se nëse nuk merr thirrje nga Kosova a mendon të luaj për Shqipërinë ku ai tha se ende nuk e di se çfarë vendimi do të marrë lidhur me këtë çështje, por tha se dëshiron që të gjejë përgjigjen sa më parë për këtë situatë.
“Nuk e di si të përgjigjem në këtë pyetje, unë kam qenë pjesë e kombëtares U21 në Kosovë dhe me dëshirë nuk do ta ndërroja, por nëse kam ofertë tjetër nga Shqipëria unë dua ta mendoj ende se çfarë do të vendosë në qetësi, tani nuk kam përgjigje definitive“, përmbylli Sadriu.