Mesfushori Qëndrim Zyba qëndroi shkurt te skuadra polake, Legia, kundërshtarja e Dritës në plejofin e Ligës së Konferencës.
Skuadra nga Varshava i dha shumë pak rast ish-mesfushorit të Ballkanit. Luajti vetëm shtatë ndeshje, kryesisht si zëvendësues në minutat e fundit. Por, Legia pati nevojë sërish për Zybën, të cilin nuk e bleu nga skuadra e Ballkanit.
Trajneri i Legia Varshavës, Gonçalo Feio, ka bërë të ditur se ka kontaktuar Zybën për të marrë informata për ekipin e Dritës.
Legia të enjten nga ora 18:00 e pret Dritën në Varshavë. Është ndeshja e parë e plejofit të Ligës së Konferencës.
“Analiza ishte e njëjtë si gjithmonë. Ne kontaktuam njerëz që e njohin mirë këtë ekip. Ish-lojtari ynë, Qëndrim Zyba, na ka dhënë shumë informata. Po kështu Jurgen Celhaka. Ne po përgatitemi për këtë ndeshje në mënyrë të ngjashme me ndeshjen kundër Broendbyn”, ka thënë Feio në konferencën për media të mbajtur të mërkurën.
Trajneri portugez i Legias vlerëson skuadrën e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani. Ai ka thënë se Drita në të kaluarën ka qenë kundërshtare e fortë për ekipet evropiane.
“Nëse dikush pret se Drita ka ardhur për shëtitje, ju them menjëherë se nuk do të ndodhë. Vitet e fundit, Drita ishte në gjendje të barazonte me Feyenoordin dhe Viktoria Plzenin. Kjo flet vetë. Sigurisht që luajmë në shtëpi dhe duam të fitojmë për të qenë sa më afër kualifikimit në fazën e grupeve. Megjithatë, do të doja që ne ta tregonim atë në fushë, jo në konferenca”, ka theksuar Feio.
Ai ka vazhduar të flasë në superlativ për ekipin gjilanas.
“Drita tashmë ka bërë diçka historike. Është hera e parë që ajo ka arritur deri këtu. Ata kanë mundësinë e një arritje tjetër. Ekipet nga ky rajon janë agresive. Sigurisht që do të kemi shumë për të bërë në këtë ndeshje. Presim presion të lartë dhe sulm të fortë ndaj kundërshtarit. E dimë që skuadra e Dritës do të luajë në mënyrë agresive dhe me shumë vendosmëri. Ne duhet ta pengojmë këtë”, ka thënë tekniku portugez.
Pasi vlerësoi lart ekipin e Dritës, Feio tregoi në konferencë për gjendjen të cilën e ka skuadra e tij. Ai ka thënë se lojtarët e tij janë maksimalisht të përgatitur për ndeshjen ndaj Dritës.
Drita kundër Legias ishte përballur edhe më 24 shtator të vitit 2020. Legia e kishte fituar 2:0 ndeshjen e raundit të tretë të Ligës së Evropës. Ishte zhvilluar vetëm një ndeshje për shkak të situatës me COVID-19.