Nuk kanë të ndalur lëvdatat për Xherdan Shaqirin, pas supergolit që e shënoi ndaj Skocisë. Ylli i Zvicrës është bërë futbollisti i vetëm që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha, tre Botërorë e tre Evropianë.
Shaqiri nuk ishte aktivizuar në ndeshjen e parë të Zvicrës në “Euro 2024”. Por ndaj Skocisë startoi dhe realizoi supergolin për barazimin 1:1. Zvicra është thuajse në fazën nokaut.
Legjenda zvicerane, Ciriaco Sforza, është bashkuar me ata që e kanë vlerësuar lart Shaqirin. Sforza ka luajtur për Bayernin e Interin, ndërsa për Zvicrën i kishte 79 ndeshje e shtatë gola. Tani është trajner i Schaffhausenit.
“Ishte gol i nivelit më të lartë botëror. Për këtë e kemi Shaqirin, për këtë ai është këtu”, ka thënë Sforza në një program televiziv në Zvicër. Ai ka pranuar se jo të gjithë futbollistët mund të shënojnë gola si Shaqiri.
“Jo të gjithë mund ta bëjnë këtë. Është në gjakun e tij. Ai nuk duhet të ushtrojë për këtë”, ka shtuar 54-vjeçari.
Është bërë pyetja nëse Shaqiri luajti mirë në përgjithësi. Ka pasur kritika sidomos për kontributin e tij në aspektin defanziv.
Sforza ka paraqitur mendimin e tij.
“A ka luajtur mirë? Mund të jetë më mirë, është e qartë se ka potencial për përmirësim. Por nuk duhet të harrojmë çka mund të bëjë ai në aspektin ofenziv. Vlen sa pesha e tij në ari”, ka theksuar trajneri i Schaffhausenit.
Ende pa nisur Evropiani ka pasur diskutime të shumta për Shaqirin. Një analist televiziv në Zvicër ka thënë se selektori Murat Yakin e provokon në masë Shaqirin që ai të ofrojë më të mirën.
Sforza është pajtuar, ndërsa ka shprehur besimin se Yakini e Shaqiri do të kalojnë mirë edhe në të ardhmen.
“Yakini e di se si ta nxisë Shaqirin. Mendoj se kjo është e shkëlqyer dhe duhet të qëndrojë kështu”, thotë Sforza, njëri prej emrave më të mëdhenj në futbollin zviceran.
Edhe kapiteni Granit Xhaka ka vlerësuar veprimin e Yakinit për ta aktivizuar Shaqirin. Ai ka folur edhe për golin e Xherdanit.
“Nuk duhet të flasim për potencialin e tij. Ishte gol tipik i Shaqirit. Ishte plan i shkëlqyer i Yakinit për ta aktivizuar atë”, ka thënë Xhaka.
Zvicra është e dyta në Grupin A me katër pikë. Udhëheq Gjermania me gjashtë pikë. Skocia e ka një pikë, ndërsa Hungaria është pa pikë. Të dielën prej orës 21:00, Zvicra luan me Gjermaninë, ndërsa Skocia me Hungarinë.