Ligji për sponsorizime në fushën e sportit i miratuar në vitin 2017, ka nisur të jap frytet e tij gjithnjë e më të mëdha.
Përmes tij, federatat dhe klubet në Kosovë po gjejnë stabilitet financiar dhe rrjedhimisht ato po rrisin edhe investimet në infrastrukturë.
Krahasuar me 7 milionë euro sa ishte shifra e shfrytëzuar nga klubet sportive në vitin 2021, ajo është dyfishuar në këtë vit me mbi 14 milionë euro.
Këto shifra i zbulon për KosovaPress, sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, i cili bënë të ditur se kjo mbështetje po vazhdon të rritet në vazhdimësi.
“Sa i përket ligjit, mendojmë që ka shumë benefite që ia sjellë sportit, jo vetëm vlera e cila definitivisht është shumë e madhe. Pra nëse e shohim vlerën e cila është realizuar në vitin 2021, ajo është një vlerë e shumës 7 milionë euro e cila definitivisht është një shumë e arsyeshme dhe e madhe për sportin e Kosovës meqë nëse e krahasojmë me pjesën e subvencioneve direkte që ministria ua jep federatave, realisht i bie që kjo shumë është më e madhe se mënyra e financimeve direkte përmes subvencioneve tek federatat…Informatat jozyrtare për vitin 2022 flet që deri më tani janë shfrytëzuar 14 milionë euro, afërsisht që është në fakt dyfishim i shumë për 2021. Kjo informatë thotë defakto jo vetëm që është rritur mbështetja por janë sensibilizuar edhe kompanitë dhe e kanë kuptuar mundësinë që ua ofron sporti.”, theksoi Aliti.
Njëra nga federatat që ka shfrytëzuar në maksimum benifitet që ofron ky ligj është Federata e Basketbollit. Elvira Dushku, sekretare e kësaj federate thotë për KosovaPress, se prej hyrjes në fuqi të këtij ligji është rritur edhe numri i sponsorëve si në federatë, ashtu edhe në klubet e basketbollit, gjë që po ndihmon jashtëzakonisht shumë në organizimin e tyre.
“Në fakt ne jemi federata liderë që më së shumti e ka shfrytëzuar ligjin për sponsorizim dhe mburremi me këtë sepse edhe në të kaluarën ne nuk kemi pasur probleme për të siguruar sponsorët por prej momentit që ka filluar te implementohet ligji për sponsorizim ne sigurisht që kemi arritur të tërheqim edhe sponsorë të tjerë dhe jemi shumë të lumtur që edhe klubet po e ndjejnë këtë përkrahje falë këtij ligji për sponsorizim dhe unë besoj shumë që klubet falë një organizimi të mrekullueshëm që janë duke e bërë jo vetëm Superliga e Meshkujve, por edhe Superliga e Femrave edhe Liga e Parë por edhe ligat tjera do të arrijnë që sa më shumë të tërheqin sponsorë sepse basketbolli është sporti ndoshta më popullorë duke e parë edhe numrin e shikuesve nëpër palestra.”, tha Dushku.
Arbër Elshani, drejtor sportiv i klubit të basketbollit Peja, thotë se ky ligj ka bërë të mundur që gjendja financiare dhe infrastrukturore në klub të ndryshojë për 180 shkallë. Ai thotë se buxheti i klubit është katërfishuar përmes ligjit të sponsorizimit.
“Ky ligj e ka çuar sportin e Kosovës në një nivel tjetër dhe unë mendoj që ky ligj ka ndikuar edhe në këtë rast tek klubi i basketbollit Peja. Nëse në të kaluarën e kemi pasur buxhetin xxxx, sot e kemi katër fish më të madh edhe kjo e ka mundësuar. Pra, po i shihni ambientet e klubit të basketbollit Peja ku jemi duke e zhvilluar intervistën, po i shihni kushtet e punës në të cilat trajnerët tonë punojnë çdo ditë edhe po e shihni edhe palestrën “Karagaçi” për të cilën ne bashkë me komunën i kemi gëzuar ato investime dhe do të vazhdojmë me investimet prandaj unë mendoj që ligji për sport, sportit të Kosovës, klubeve në përgjithësi ua ka mundësuar që ato të jenë sot shembull në rajon…Prandaj unë pajtohem që ligji për sport klubin e basketbollit Peja e ka ndryshuar për 180 shkallë.”, tha Elshani.
Secili biznes që sponsorizon një klub apo federatë lirohet për 30 përqind nga tatimit që duhet t’i paguhet shtetit. Kjo po konsiderohet një shumë e konsiderueshme nga sekretari i KOK-ut, Besim Aliti.
“Lirimi nga tatim-fitimi është 30 përqind, që është me të vërtetë një shumë e konsiderueshme dhe bizneset këtë e zbatojnë përmes klubeve apo federatave të cilat e dërgojnë kontratën dhe marrëveshjen në komision për sponsorisim pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila e vlerëson dhe jep letër e cila e liron kompaninë në ATK për pjesën e tatim-fitimit të cilën ajo e sponzorizon. Pra, maksimumi është deri në 30 përqind.”, tha Aliti.
Ndryshe, sukseset që po i arrin Kosova përmes aktivitete sportive në arenën ndërkombëtare janë gjithnjë e më të mëdha dhe ligji i sponsorizimit po jep një ndihmë të madhe në këtë drejtim.