Llapi e nisi ecurinë e fitoreve ndaj Gjilanit. Në xhiron e kaluar fitoi edhe ndaj Feronikelit 74, ndërsa të shtunën e regjistroi fitoren e tretë rresht. Në stadiumin “Liman Gegaj” në kuadër të xhiros së 30-të të elitës së futbollit kosovar, Llapi fitoi ndaj Malishevës me rezultatin 3:1.
Dhe me fitoren e tretë të njëpasnjëshme, Llapi ka bërë ngjitje të madhe në tabelë, duke iu shmangur shumë zonës që dërgon në Ligën e Parë, përkatësisht të kategorisë së dytë të futbollit kosovar. Derisa para pak kohe luftonte për mbetje në elitë, Llapi tani është në vendin e pestë me 39 pikë, një më shumë se Prishtina e Llapi që kanë nga një ndeshje më pak të luajtur. Dukagjini në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit, ka 36 pikë. Prapa kanë mbetur Suhareka me 33 pikë, dhe Feronikeli 74 me 14 pikë, që në edicionin tjetër do të bëj gara në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. Para Llapit në tabelë është Ferizaj me 41 pikë e me një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa Malisheva me 47 pikë zë vendin e tretë.
Drita lidere ka 63 pikë, dhjetë më shumë se vendi i dytë, Ballkani.
Epërsinë e dy golave, Llapi e krijoi në minutat shtesë të pjesës së parë.
Për 1:0 realizoi sulmuesi Ardit Tahiri, në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë, pas një aksioni shumë mirë të ndërtuar. Dyshohej për pozitë jashtë loje, por goli i Tahirit u pranua pas rishikimit të situatës në VAR.
Vetëm një minutë më vonë, Llapi shënoi sërish. Valmir Veliu e dyfishoi epërsinë, pas asistimit të Elvir Gashijanit.
Malisheva në pjesën e dytë u kthye me golin e Laurent Xhylanit. F utbollisti i krahut shënoi me goditje të saktë me kokë nga zona në minutën e 52-të, pas harkimit të Altin Aliut nga goditja e këndit. Për Xhylanin ishte goli i pestë i edicionit.
Në momentet e mira të Malishevës, në skenë u shfaq Gashijani, i cili e shënoi golin e qetësisë dhe të fitores 3:1, tetë minuta para fundit. Edhe goli i Gashijanit u konfirmua nga VAR-i. Asistues në golin e tij ishte sulmuesi Tahiri.
Llapi e mbylli ndeshjen me një futbollist më pak në fushë, pasi gjyqtari Dardan Çaka e përjashtoi mesfushorin Besar Musolli. Musolli i doli në mbrojtje bashkëlojtarit të tij, Gashijanit. Gashijani ankohej nga një lëndim, ndërsa sulmuesi i Malishevës, Fatjon Bunjaku, iu afrua dhe e ngriti atë me forcë në këmbë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Musollit ndaj Bunjakut, që ishte i parregullt për gjyqtarin kryesor.
Gola nuk pati deri në fund dhe fitorja i takoi skuadrës së drejtuar nga trajneri Tahir Batatina.
Trajneri Batatina me Llapin më 23 prill e luajnë ndeshjen kthyese të Kupës së Kosovës ndaj Drenicës në udhëtim. Ndeshjen e parë në Podujevë, Llapi e fitoi 2:0.
Të dielën në program janë ndeshjet Suhareka – Drita dhe Prishtina – Ferizaj. Gjilani – Dukagjini dhe Feronikeli 74 – Ballkani luajnë të hënën. Edhe ndeshjet tjera nisin në orën 15:00.