Qendërmbrojtësi Albin Jakupi ka udhëhequr mbrojtjen e KF Prizrenit për dy vite, ku ishin të mbushura me suksese, të cilat këtë vit ishin më të mëdha.
Nën drejtimin e tij në mbrojtje, disa ndeshjes edhe si kapiten, Prizreni siguroi ngjitjen historike në Ligën e Parë, duke u bërë një nga ekipet më të forta të sezonit.
Jakupi, i njohur për organizimin e lojës dhe pasimet e sakta me të dyja këmbët, spikati edhe në sulm këtë sezon, duke shënuar gjashtë gola – shumica me kokë, falë shtatlartësisë së tij tipike për një qendërmbrojtës.

Përveç golave, ai kontribuoi edhe me tre asistime, duke shfaqur aftësi të shkëlqyera në pasimet e gjata dhe të sakta në zonë për bashkëlojtarët.
Me lojën e tij të fortë dhe duelet e fituara, Jakupi ishte shtylla e mbrojtjes së Prizrenit.

“Një sukses i madh i drejtuesve të klubit, trajnerëve dhe bashkëlojtarëve. Kemi punuar shumë që të jemi në Ligën e Parë dhe ia kemi arritur. Tani na pret punë e madhe, por jemi gati”, deklaroi Jakupi.
Pas dy sezonesh frytdhënëse, ai është i gatshëm për një aventurë të re, ndërsa tashmë ka marrë interesim nga disa klube të tjera.