Kapitenia e Suedisë, Kosovare Asllani, pranoi se ishte e mërzitur dhe se ka qarë pas dështimit në Kampionatin Botëror, ku ekipi i saj u eliminua në gjysmëfinale të martën nga Përfaqësuesja e Spanjës. Suedia ishte në disavantazh prej minutës së 81-të në ndeshjen e luajtur në Auckland të Zelandës së Re, përpara se të barazonte rezultatin tetë minuta më vonë me golin e shënuar nga Rebecka Blomqvist.
Pas golit të Suedisë, u mendua se ndeshja do të shkonte në vazhdime. Mirëpo, dy minuta më vonë Spanja shënoi përsëri dhe vulosi një vend në finalen e këtij turneu, që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Për Suedinë, kjo ishte humbja e katërt në pesë gjysmëfinale të Kampionatit Botëror.
“Jam shumë e lodhur duke qarë, jam lodhur nga lotët e kampionatit”, tha Asllani e zhgënjyer në një intervistë televizive, duke fshirë lotët nga sytë e saj gjatë gjithë kohës. “Je bosh, je i zhgënjyer, thjesht je lodhur nga lotët e turneut. Nuk mendoja se do ta përjetonim përsëri këtë zhgënjim, jo në këtë turne, duke pasur parasysh synimet dhe lojën që e kemi treguar”.
Suedia nuk ka fituar një turne të madh që nga Kampionati Evropian në vitin 1984, i cili ishte inaugurues. Që atëherë, suedezet kanë humbur tri herë në finalen e Evropianit dhe kanë pësuar në finalen e Lojërave Olimpike nga Kanadaja me penallti, dy vjet më parë. Hera e vetme që Suedia arriti në finale të një Botërori ishte në vitin 2003, të cilën e humbi gjithashtu. Asllani insistoi se Suedia e ka merituar finalen pas paraqitjeve të mira që i bëri në këtë turne, i cili nisi muajin e shkuar. Spanja triumfoi 2:1 dhe për ekipin spanjoll është hera e parë që do të paraqitet në finale të këtij turneu.
“Unë nuk mendoj se njerëzit i kuptojnë energjinë dhe pasionin që fshihet pas kësaj. Është vërtet ndjenjë e keqe kur eliminohesh, pasi ne ëndërruam një finale të Kupës së Botës”, tha Asllani. “Jam shumë krenare për këtë ekip, ku jemi tani dhe se si jemi paraqitur në këtë turne. Ne e merituam të ishim në finale, por futbolli është i tillë”.
Asllani ishte kapitene e Suedisë në këtë Botëror, ndërsa kundër Spanjës ishte paraqitja e saj e pestë në këtë turne. Krahas Asllanit, i zhgënjyer me eliminimin në gjysmëfinale ka mbetur edhe selektori Peter Gerhardsson. Ai së bashku me mbrojtësen Magdalena Eriksson insistuan se dëshironin të luanin në finale pasi synimi ishte triumfi në Botëror. Megjithatë, pas eliminimit, fokusi i Suedisë do të jetë në ndeshjen e vendit të tretë. Suedia, të shtunën luan me humbësin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Australisë dhe Anglisë, e cila zhvillohet të mërkurën.
“Ne jemi të zhgënjyer dhe shumë të trishtuar, por duhet menjëherë të mendojmë për ndeshjen tjetër, të cilën duhet ta fitojmë”, ka insistuar trajneri Gerhardsson.
Ndërkohë, optimizmin para ndeshjes për vendin e tretë, e shfaqi edhe mbrojtësja Eriksson.
“E dinim se na kishim mbetur edhe dy ndeshje në turne dhe në gjysmëfinale u futëm me synimin për të fituar. Megjithatë, kemi edhe një ndeshje për vendin e tretë dhe një rast tjetër për të fituar medalje. Duhet ta mbledhim veten dhe ta fitojmë atë ndeshje pavarësisht kundërshtarit që e kemi përballë”, është shprehur Eriksson.
Suedia edhe në tri raste të mëparshme ka përfunduar e treta në Kampionatin Botëror. Ndërsa suksesi më i madh në këtë turne, pa dyshim se mbetet vendi i dytë në Botërorin e vitit 2003.
