Atletja nga Shqipëria, Luiza Gega, nuk kishte të ndalur në Lojërat Evropiane, që po mbahen në Poloni e që shërbejnë edhe si Kampionat Ekipor Evropian në Atletikë.
Brenda tri ditësh Gega ka fituar dy gara në Divizionin 3 të Evropianit të Atletikës në konkurrencë ekipore. Shqipëria përfundoi e nënta në Divizionin e tretë, kryesisht falë Gegës. Vend të parë kishte edhe Franko Burraj në vrapim 400 metra, derisa vende të treta kishin Muhamet Çangeli në kërcim së gjati dhe Dorian Çollaku në hedhje të çekanit.
Por rezultatet e tyre mbetën nën hije të shkëlqimit të radhës nga Luiza Gega.
Fillimisht Luiza e ka fituar garën e vrapimit në 5000 metra, ndërsa të enjten triumfoi edhe në garën e vrapimit në 3000 metra me pengesa. Kjo është disiplina e preferuar e Gegës, e cila vendosi rekord të ri në Kampionatin Evropian Ekipor, duke e përfunduar shtegun me kohë prej 9:17.31 minuta. Ajo ishte 30 sekonda më e shpejtë se rivalja më e afërt, Adva Cohen nga Izraeli. Me këtë fitore, Gega ia ka siguruar Shqipërisë 15 pikë për renditjen përfundimtare, ndërsa ka bërë edhe një arritje të veçantë. Ishte fitorja e saj e 11-të në historinë e Kampionatit Evropian Ekipor, duke u barazuar si atletja më e suksesshme me bullgaren Ivet Lalova-Collio. Krahas 11 fitoreve, Gega dy herë ka përfunduar e dyta.
“Ajo u konfirmua me rekordin e Kampionatit Evropian Ekipor. Luiza Gega është barazuar me Ivet Lalova-Collio të Bullgarisë, si atletja më e suksesshme në historinë e Kampionatit Evropian Ekipor të Atletikës me 11 fitore dhe dy vende të dyta”, ka shkruar “European Athletics”.
Këtij suksesi të Gegës në Poloni i është gëzuar edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). Sipas KOKSH-it, Gega edhe njëherë dëshmoi formën fantastike që po e kalon muajit e fundit.
“Luiza Gega vazhdon ta konfirmojë formën e saj fantastike. Luiza Gega tregon edhe një herë se po kalon një formë të mirë në Evropë dhe nuk njeh rivale, duke dominuar në garat që merr pjesë”, ka shkruar ndër të tjera KOKSH.
Gega 34-vjeçare, të martën, vrapimin prej 5000 metra e përfundoi me kohë 15:32.39 minuta.