Kupa e Botës në Katar do të jetë ngjarja e fundit në të cilën legjenda Luka Modriq do të luaj për Kroacinë.
Kështu kanë raportuar mediat kroate të hënën mbrëma. Modriq po shkëlqen për kohë të gjatë te Real Madridi dhe është kapiten dhe lider i Kroacisë.
“Jam i vetëdijshëm që po i vjen fundit karrierës dhe kjo Kupë e Botës është ngjarja e fundit që do ta luaj për Kroacinë”, ka thënë Modriq për FIFA +. Ai është 37-vjeçar, por po shfaq nivel shumë të lartë. “Njerëzit më pyesin shpesh se pse luaj ende për Kroacinë në vend që të fokusohem në klub. Reprezentacioni është diçka e veçantë për mua. Nuk ka nder më të madh se të luash për vendin tënd. Përshëndetja do të jetë shumë e vështirë”, ka shtuar Modriq. Nuk është qartësuar nëse Modriq do të largohet menjëherë pas Botërorit. Kjo me gjasë do të varet nga rezultati. Sipas “index.hr”, ka gjasa që ai të luaj në fazën finale të Ligës së Kombeve dhe ndoshta në kualifikimet për Euro 2024. Botërori do të jetë ngjarja e shtatë e Modriqit me Kroacinë.
Ai ka 154 ndeshje për Kroacinë, që është rekord absolut. Ka shënuar 23 gola.