Malisheva e humbi 2:1 ndeshjen e parë nga Vllaznia në Shkodër javën e kaluar. Por të mërkurën mposhti Vllazninë me rezultat të thellë, 5:0.
Me fitoren e thellë në ndeshjen kthyese, Malisheva siguroi kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshja kthyese u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Në fitoren e thellë shkëlqeu Kreshnik Uka me dy gola.
Golin e parë e shënoi në minutën e 34-t, kurse të dytin personal në minutën e 52-të.
Nga një gol shënuan Xhemal Ibishi (45+2’), Arlind Veliu (57’) dhe Krenar Dulaj (90’).
Malishevën e pret punë e vështirë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Do të përballet me skuadrën e njohur skoceze, Hibernian.
Ndërkohë, të enjten Ballkani e pret Connah’s Quay Nomads në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja luhet nga ora 20:00. Ballkani ka barazuar pa gola javën e kaluar me skuadrën nga Uellsi, Connah’s Quay Nomads.
