Malisheva ka shënuar fitore të madhe në garën për ekzistencë në Superligën e Kosovës në futboll. Të shtunën, Malisheva fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Ferizajt. Ndeshja i ka takuar xhiros së 30-të të elitës së futbollit kosovar.
Ndeshja ishte dramatike dhe me episode të shumta. Që në minutën e 12-të, Ferizaj mbeti me një lojtar më pak në fushë. Për ndërhyrje të palejuar jashtë zonës, me karton të kuq u përjashtua portieri i skuadrës vendase.
Malisheva kaloi në epërsi 1:0 që në minutën e 17-të, kur shënoi Robert Sobowale. Ma pas mysafirët fituan penallti, që megjithatë u anulua pas rishikimit të situatës në VAR. U sinjalizua për pozitë jashtë loje.
Më pas në pjesën e parë të dy skuadrat kishin raste për të shënuar. Shifrat megjithatë nuk ndryshuan.
Ferizaj nuk ndali përpjekjet për të barazuar as në pjesën e dytë. Dhe këtë e arriti në minutën e 71-të, kur për 1:1 shënoi Betim Haxhimusa.
Por, Malisheva arriti te fitorja e rëndësishme. Sërish Sobowale shënoi në minutën e 83-të për 2:1. Shifrat më nuk ndryshuan.
Me fitore, Malisheva doli në vendin e shtatë me 33 pikë. Ferizaj ka rënë në pozitën e parafundit (9) me 31 pikë.